Shteti identifikon tre sulmuesit e Valon Sylës, vazhdojnë përpjekjet për arrestimin e tyre

12 prill 2023 | 19:41

Orëve të vona të së martës, gazetari Valon Syla u sulmua nga tre persona, sulm ky që u dënua nga instanca të larta të shtetit, e deri te organizata mediale kombëtare dhe ndërkombëtare.

“Mulla Mercedesi”, etiketimi që Syla ia bëri hoxhës nga Mitrovica që pranoi dhuratë një veturë të tipit Mercedes, me gjasë shihet si shtysë e këtij sulmi, ndonëse akt i pajustifikueshëm, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Një gjë të tillë e tha edhe vetë ai, derisa sulmuesit i konsideroi “tre islamikë fanatikë”.

“Sulmi me çdo gjasë ka të bëjë me reagimet e mia rreth ‘Mulla Mercedesit’ dhe ngjarjeve në BIK, qe duket se nuk ju ka pelqyer fare dhe keshtu ka nxitur ketë komunitet te militanteve islamik të organizojne sulm fizik të paramenduar”, ka deklaruar gazetari.

Kurti: Sulmi ndaj Valon Sylës është i patolerueshëm, institucionet ta trajtojnë rastin me seriozitet

Policia e Kosovës tashmë ka identifikuar tre të dyshuarit në sulmin ndaj Valon Sylës dhe se përpjekjet po vazhdojnë që ata të sillen para drejtësisë.

Kështu njoftoi të mërkurën, orëve të pasdites, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.

“Pas hetimeve intenzive të Policisë së Kosovës tashmë janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Syla dhe shumë shpejtë kryesit e këtij akti do të sillen para drejtësisë”, tha ministri në një njoftim në Facebook.

“Institucionet e sigurisë do të vazhdojnë angazhimin për garantimin dhe respektimin e të drejtave të çdo qytetari tonë të cilat janë të pacënueshme dhe të padiskutueshme”, tha tutje.

Sulmi ndaj Valon Sylës është i papranueshëm dhe i dënueshëm

Leonard Kërquki, gazetar dhe prezantues i emisionit “Pressing” ka rrëfyer kronologjikisht ngjarjen e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla.

Gjithçka ka nisur nga një dakordim mes gazetarëve pas përfundimit të debatit në T7, përfshirë këtu Kërqukin dhe Sylën, që të takohen bashkë te Bregu i Diellit, që sipas Kërqukit, e bëjnë pas çdo debate televiziv, shkruan tutje Reporteri.net.

Kur kishte mbërritur te vendtakimi, gazetari Kërquki thotë se e kishte parë një veturë duke ecur mbrapa, ku në të gjindeshin sulmuesit, dhe se ai ua kishte lëshuar rrugën pasi po lëviznin me shpejtësi.

“Kemi përfunduar debatin. Shumicën e rasteve, pas debateve takohemi me kolegë gazetar, të debateve të tjera. Kësaj radhe e lam të takohemi në Breg të Diellit. Valoni me Ilirin, me veturën e Ilirit kanë vazhduar për atje. Unë me veturën time jam nisur pas pak. Atje kur kam shkuar e kam parë një veturë që është duke ecur mbrapa, që kishte qenë vetura e këtyre sulmuesve. Unë ua kam lëshuar rrugën, sepse mos me ua pas lëshu rrugën, skishin pas kah me dalë. Ata ikën me shpejtësi”, ka rrëfyer Kërquki në T7.

KMDLNj dënon sulmin ndaj Sylës: Shteti po kontribuon në dhunën ndaj gazetarëve

Kur është afruar te lokali ku supozohej të takoheshin, ai tha se e kishte parë një tollovi aty afër, ku më vonë mësoi se kishte ndodhur shkaku se Valon Syla ishte sulmuar nga tre persona.

“U afrova tek lokali dhe e pash tollovi. E telefonova Ilirin duke menduar që ende s’ka arritur, për t’i thënë se paska diçka, e po ndërrojmë agjendë. Por Iliri më ka tregu që janë aty dhe që e kanë sulmuar Valonin. Komplet këmishën e ka pasur me gjak. Ka qenë një pamje trishtuese, shokuese me e pa në atë gjendje Valonin”, ka shtuar tutje.

Ai tha se kolegu tjetër, Ilir Mirena, nuk ishte me Valon Sylën kur u sulmua. Sipas Kërqukit, Sylën e kanë goditur me orë në kokë, e cila aktualisht po mbahet si evidencë në polici.

“Kanë qenë tre persona. As Iliri s’ka qenë afër kur e kanë sulmu. Iliri e ka parkuar veturën, dhe pasi e ka marrë jaknen e ka parë që tre persona e kanë sulmuar Valonin. E kanë goditur me orë, ia kanë carë kokën. Ora është në Polici. E ka edhe dorën e majtë të lënduar. Kjo është pak a shumë ajo çfarë ka ndodhur”, ka rrëfyer Kërquki.

Në kundërpërgjigje ndaj përpjekjeve të tilla të sulmuesve që tentojnë t’ua marrin gazetarëve të drejtën e fjalës së lirë, gazetari Valon Syla, tashmë dy herë target i sulmeve, e thotë me bindje se ai nuk ndryshon pikëpamjet e tij.

“Unë jam Valon Syla dhe jam libertarian me bindje. Mua dhe kosovarëve si unë nuk ju nevojitet paqja, pa liri. Kosova është e lirë. Fjala është e lirë”.

Sulmin ndaj Valon Sylës e kanë dënuar edhe krerët e shtetit, me përjashtim të Presidentes Vjosa Osmani.

Osmani në këtë rast kanë zgjedhur heshtjen, ndërsa ndryshe veproi Kryeparlamentari Glauk Konjufca i cili dënoi sulmin qysh në orët e para kur ndodhi, duke e cilësuar si shkelje të rëndë të lirisë së shtypit dhe të drejtave të njeriut.

Ndërsa nga Mbledhja e Qeverisë reagoi edhe Kryeministri, Albin Kurti, 14 orë pas sulmit. Ai kërkoi nga organet e rendit që të identifikohen sa më parë autorët dhe të sillen para drejtësisë.

Federata Evropiane e Gazetarëve i drejtohet Kurtit, Sveçlës dhe Haxhiut: Dënojeni sulmin ndaj Sylës

Në anën tjetër, Prokuroria Themelore në Prishtinë, rastin e Valon Sylës e ka cilësuar si “lëndim i lehtë trupor”, ku për këtë pati reagim nga Juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari. Kjo e fundit tha se “këtu fillon dështimi i shtetit me i siguru gazetarët”.

Kusari ka thënë se sulmi fizik është sulmi gati më brutal ndaj gazetarëve dh shton se ky sulm nuk është lëndim i lehtë trupor.

Sulmin ndaj gazetarit Syla, e dënoi edhe Qendra Evropiane për Liri të Medias e cila i bëri thirrje autoriteteve kosovare, që në mënyrë profesionale dhe të pavarur të zhvillojnë hetimet, e autorët të dalin para drejtësisë.

Edhe krerët e partive opozitare reaguan ndaj këtij sulmi. Memli Krasniqi nga radhët e PDK-së tha se sulmi ndaj fjalës dhe medias së lirë është sulm ndaj vet shtetit, ndërsa kërkoi që sulmuesit të arrestohen e të dalin para drejtësisë.

Ndërsa, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku e cilësoi sulmin ndaj Valon Sylës si sulm ndaj fjalës së lirë dhe mendimit.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj sulmin ndaj Sylës e ka quajtur të papranueshëm dhe akt qyqar.

Ai iu bëri thirrje organeve të rendit që ta zbardhin këtë rast, pasi fjala e lirë është garancë e demokracisë në një shoqërie. /Reporteri.net/.

Haradinaj, pasi tre persona sulmuan Sylën: Fjala e lirë është garancë e demokracisë

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Nikshiq është hapur fabrika e vodkës Beluga, ku më…