Shtyrja e vendimit për shpalljen e aktgjykimit ndaj katërshes së UÇK-së, Gucati: Nuk do të rrimë duarkryq

02 korrik 2026 | 16:01

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë njoftuan të mërkurën se aktgjykimi për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin  do të shpallet më 16 shtator të këtij viti.

Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në një intervistë për “Ekonomia Online”, ka deklaruar se ky vendim për këtë organizatë është i papranueshëm.

“Për ne është një vendim i papranueshëm, duke e ditur që është stërzgjatur kjo procedurë, apo mund të them se kjo gjykatë ka stërzgjatur vendimin. Edhe ata janë duke i mbajtur peng, gjashtë vjet veç po shkojnë, ata janë duke i mbajtur peng presidentin edhe të tjerët. Tash kjo gjykatë më shumë po ngjason sikur një instrument politik, jo instrument i drejtësisë, por instrument politik. E vazhduan gjashtë ditë para disa muajve më herët, tash prapë e vazhduan edhe sot, që i bie edhe rreth 67–68 ditë deri më 16 shtator, diku në ora 10:00. Por, në fund të fundit është një datë dhe një orë tash që është caktuar. Por për ne është e papranueshme, sepse pritja e gjatë po na lë me dyshu që nuk është drejtësi, por politikë”, ka deklaruar ai.

Gucati është shprehur se kjo pritje nuk është e mirë për qytetarët e Kosovës dhe se OVL-UÇK nuk do të rrijë duarkryq.

“Kjo pritje që po bëhet nuk është e mirë as për familjet, as për të afërmit, as për neve si organizatë e veteranëve, as për ju si qytetarë të Kosovës, sepse po na lë me dyshu mos po ndodh më e keqja, që dhashtë Zoti mos të ndodhë, nuk besoj që do të ndodhë, por për ne është e papranueshme. Ne së shpejti me kryesinë do të ulemi, do të bisedojmë edhe do të shohim çfarë hapash do të marrim: a do të organizojmë ndonjë protestë apo do të dalim të pakënaqur – tani nuk mund të paragjykoj asgjë, por ne nuk do të rrimë duarkryq”, ka deklaruar ai.

Gucati ka theksuar se nuk kanë besim te Gjykata Speciale dhe se vendimi i djeshëm është një tjetër shkelje, sipas tij.

“Janë bërë shkelje që s’mund t’i numërojmë sa shkelje ka bërë kjo gjykatë deri më sot. Po kjo është shkelja e fundit që e bëri me vendimin e djeshëm, ku ne të gjithë jemi përgatitur, të gjithë kemi menduar se më 20 korrik po merret fund verdikti, gjithmonë po merret fund në të mirën tonë, në të mirën e tyre që janë në burg. Por kjo çka na befasoi tash, gjykata thotë do të marrë vendim veç e veç për secilin. Këtë e di pse e ka bërë: e ka bërë për t’i ulur tensionet në Kosovë, për t’i ulur tensionet te qytetarët. Por ne nuk i besojmë kësaj gjykate, prapë nuk i besojmë”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se gjykata ka vepruar në mënyrë të njëanshme, duke marrë dokumentacione nga Serbia, sipas tij.

“Kjo gjykatë ka manipuluar shumë, ka luajtur shumë me ne. Nuk e di se ka marrë dokumentacione nga Serbia, nga prokurori serb, edhe nga njerëz të fabrikuar apo të përpunuar. Dhe kjo është frika jonë, që ne nuk i besojmë kësaj gjykate. E thashë edhe më herët, kjo gjykatë po më kujton gjykatat e Jugosllavisë – gjykata politike. S’kam dashur ta besoj kurrë këtë, por ja që po del e tillë”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se shpreson që vendimi të jetë pozitiv për ish-krerët e UÇK-së.

“Vendimi do të jetë në anën tonë pozitive, në të mirën e mundshme, që ata të lirohen, sepse s’ka bazë, s’ka fakte, s’ka argumente. Ne shpresojmë fuqishëm që ata do të lirohen. Qytetarët shqiptarë janë me mendimin që ata duhet të lirohen, sepse nuk ka fakte. Në momentin që s’ka argumente, do të thotë që është marrë dokumentacioni nga Serbia, jo nga njerëzit këtu që kanë vepruar, por faktet janë marrë nga Serbia, për t’i kënaqur epshet e Serbisë apo Rusisë. Dhe i kanë mbajtur në burg krerët e UÇK-së, apo krerët e shtetit që e shpallën pavarësinë dhe sollën lirinë bashkë me qytetarët”, ka deklaruar ai.

Ai ka shtuar se Evropa i ka borxh Kosovës drejtësi të drejtë.

“Evropa na ka borxh shumë dhe këtë borxh duhet ta paguajë me drejtësi dhe me tregim të realitetit, asgjë më shumë”, ka deklaruar ai.

Katër ish-udhëheqësit e UÇK-së akuzohen kinse për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.

Gjykata Speciale është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë. Procesi ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, pasi është parë si i njëanshëm, duke mos përfshirë krimet e kryera nga serbët në Kosovë.
Në Kosovë janë organizuar protesta dhe janë vendosur pankarta me mesazhin “Liria ka emër” në përkrahje të të akuzuarve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas,…