Si do të sigurojë Kosova investime strategjike deri në dy miliardë euro?

09 janar 2019 | 16:43

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se përmes Ligjit për investime strategjike kanë aplikuar 11 kompani të cilat do të investojnë deri në 2 miliardë në sektorë të ndryshëm.

Sipas një komunikate të Qeverisë, së shpejti pritet shpallja e investitorëve strategjik të cilët në fokus do të kenë investime në sektorin e energjisë, në transport dhe turizëm.

Dy nga projektet e mundshme të cilat mund të kalojnë përmes Ligjit për investime strategjike janë potencuar se mund të jenë kompleksi turistik Brezovica dhe Hoteli Grand në Prishtinë.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar që të marrë informacione më shumë rreth këtyre investimeve, por nuk është arritur kontakti me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Shala përmes një njoftimi për medie ka bërë me dije se në këto investime strategjike nuk janë të gjitha investime të huaja, por ka edhe investime strategjike vendore.

Ndërkohë, për të njëjtën çështje, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se në Kosovë po fillohet të zbatohen këto investime.

“Pra veçse kemi hyrë në një fazë intensive të zhvillimit të vendit”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ligji për investime strategjike e parë si mundësi e mirë për tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë, nga ekspertë të çështjeve ekonomike konsiderohet i mangët nëse nuk arrihet të ketë stabilitet politik dhe sundim të rendit dhe ligjit.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu në një bisedë për “Radion Evropa e Lirë”, ka thënë se nëse mendohet që Ligji për investime strategjike të jetë në funksion të së ardhmes së Kosovës, atëherë duhet të ketë fillimisht, sundim të rendit dhe ligjit dhe stabilitet politik.

“Është e vërtetë që proceset ekonomike të Kosovës kanë mbetur nën hijen e agjendës politike dhe në një vend ku agjenda politike dominon është shumë e vështirë të flitet për investime e në veçanti për investime strategjike. E them këtë bazuar në faktin se në Kosovë më shumë bëhet garë për të shpikur probleme, për të mbuluar problemet e pazgjidhura nga e kaluara dhe në këtë drejtim është duke u dëmtuar imazhi i Kosovës. Nuk vlen vetëm të kemi vetëm ligje nëse ato nuk kanë zbatim”, ka thënë Gërxhaliu.

Ndryshe, vlera e investimeve të huaja në Kosovë nga viti në vit ka shënuar rënie.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës se Kosovës, për nëntë muajt e vitit 2018, vlera e investimeve të huaja ka arritur në shifrën prej 164.4 milionë euro. Në vitin 2017, investimet kanë qenë 287 milionë euro, kurse në vitin 2016 rreth 220 milionë euro.

Para shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, vlera e investimeve nga jashtë ishte më e lartë.

Në vitin 2007, shuma e investimeve të huaja kishte arritur në 440 milionë euro, vlerë kjo që asnjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk ka arritur në Republikën e Kosovës.

Safet Gërxhaliu ka thënë se çdokush do të dëshironte që të ketë investime strategjike, por që sipas tij, realiteti e dëshmon të kundërtën. Investitorët e huaj kërkojnë siguri, stabilitet, sundim të rendit dhe ligjit, kushte këto që Kosova, sipas Gërxhaliut, nuk i ofron për momentin.

“Më gëzon fakti që ka të dhëna që do të ketë kompani dhe brende të huaja që do të investojnë miliarda euro në Kosovë, por duhet të kuptohet që për të qenë atraktiv për këta investitorë, Kosova në rend të parë duhet të dëshmojë stabilitet politik, duhet të ketë sundim të rendit dhe ligjit dhe mbi të gjitha të ofrojë një parashikueshmëri të bizneseve që pretendojnë të investojnë në Kosovë ku janë sot dhe ku do të jenë pas pesë vite”.

“Në këtë drejtim Kosova është shumë larg realitetit. Kam drojën që këto investime strategjike më shumë duken si një spektakël politik ose një parapërgatitje për ndonjë kampanjë zgjedhore sesa që mund të jetë realitet”, ka theksuar Gërxhaliu.

Ndryshe, Ligji për investime strategjike në kohën kur ishte miratuar në Kuvendin e Kosovës ishte kundërshtuar nga përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës.

Kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës patën kundërshtuar miratimin e këtij ligji dhe ishin zotuar se ai nuk do mund të zbatohet në këto komuna, ngase sipas tyre, nuk është harmonizuar me autoritetet lokale.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pati hedh poshtë ankesën e një grupi të deputetëve serbë të Kuvendit të Kosovës, të cilët e kundërshtuan Ligjin për investime strategjike.

Ligji për investime strategjike pati hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2017.

Shuma minimale që një projekt të konsiderohet si investim strategjik, sipas Ligjit është nga 10 milionë deri në 30 milionë euro.

Ligji për Investime Strategjike nga autoritetet e vendit ishte konsideruar një ligj i cili krijon kushte shumë më të mira për investitorë vendorë dhe ndërkombëtarë. Me këtë ligj ishte theksuar si i jepet fund procedurave burokratike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xavi Hernanez është duke bërë një hap të madh në…