Si i kërcënoi drejtori i burgut të Dubravës, Aca Rakoçeviq, grevistët shqiptarë në burgun e Beogradit me futjen në qeli

22 qershor 2021 | 17:41

Rrëfime nga i burgosuri e i mbijetuari i masakrës në burgun e Dubravës, Nait Hasani.

Pas daljes së Xhevatit nga burgu sikur u krijua rutina. Për befasinë tonë të nesërmen pasi hëngrëm mëngjes u hap dera e korridorit dhe u hapën dyert e dhomave, erdhi urdhri që të dalim në shëtitje.

U shikuam mes veti, u bënë rresht dhe filluam të dalim jashtë. U befasuam shumë sepse ishte e pa imagjinueshme të na ftojnë që të dalim jashtë. Të gjitha dhomave na u hapën dyert dhe dolëm në korridor, me komandën e gardianit, që ishte nga Gurrakoci i Istogut të Kosovë, ecëm shkallëve dhe dolëm në oborr. Oborri dukej si një gropë e thellë, mure të thella pesë katesh. Aty nuk shihje gjë, vetëm qielli dukej si një katërkëndësh mes mureve të ndërtesës së burgut. Ashtu në radhë për dy nga e majta në të djathtë ecnim duke u sjellë si në ‘mullar të sanës’. Një derë dukej në një kënd që epte një shenjë se këtu nga kjo gropë e thellë ka një dalje, ndërsa disa fije bari në mes dukeshin e që të jepte shpresë se ka natyrë aty afër, por asnjë zog nuk dukej e asnjë dallëndyshe nuk kishte bërë askund folën e vet. ‘Po ku bënë dallëndyshja fole në burg more’, më doli kjo fjalë nga goja. Edhe po te donin të bënin folenë ato kanë ndje dhimbjen nga torturat që janë përdorë këtu në këtë burg e nuk kane mundur të bëjnë fole në vendet ku bëhen krime.

Në shëtitje i pash shokët e dhomave tjera me te cilët u përshëndetëm dhe ndërruam ndonjë llaf duke  pyetur për shëndetin. Disa nga kureshtja më pyesnin mos kamë informata më shumë pas vizitës së Florës e Fatmirës. A mos kanë thënë ato se do të liroheshim apo ndonjë gjë tjetër.

Të gjithë e komentonim vizitën dhe sikur u dhamë shpresë e vullnet njëri tjetrit. Pasi komandanti dhe gardiani dhanë urdhër që të futemi brenda u hap dera dhe në rreshta shkalleve e në dhomë. U mbyll dera dhe ne vazhduam kështu rutinën e ditëve të burgut. Merrnim mëngjesin, dreken e darkën, bënim shëtitjen dhe vazhdonim njëjtë me rutinën e përditshme.

Kështu vazhduan me ditë të tëra. Dhe një prej ditëve disa të burgosur të cilët ishin të padënuar kishin vendosur që të hynin në grevë me qëllimin e vetëm kthimin e tyre në Kosovë. Dhe gjatë shëtitjes më pyetën edhe mua se çka ma merr mendja mua. Përgjigjja ime ishte e prerë që unë nuk e mbështesë këtë grevë dhe jam kundër saj.

U thashë që ne e patëm në vizitë Flora Brovinën. Ata në Kosovë e dinë që ne jemi në burgje. Ata janë duke bërë atë që është e mundshme për me na liruar. Arsye për grevë nuk ka. Dhe s’ka kush bënë grevë. Greva nuk është lojë. Greva është arma e të burgosurit, për të realizuar qëllimin politikë. Kështu që nuk mund ta mbajmë të gjithë grevën dhe disa me bërë grevë e disa me marr bukën nuk shkon, Kjo tregon thyerjen. Mundësia me përdore forcën me na thye është e lehtë. Njerëzit janë të pa përvojë në greva. Nuk qëndrojnë. Me një britmë i thyejnë disa, prandaj duhet të kemi kujdes. Po ashtu ka të burgosur ordinerë shqiptar që nuk hyjnë fare në grevë. Prandaj unë nuk jam për me hy në grevë sepse në rrethanat që jemi nuk mundemi të arrijmë efektin.

Pas disa ditësh thuaja se kishin ra në ujdi me bërë grevë, por pa mua nuk fillonte ajo.

Unë në dhomë i kisha përpos të burgosurve tjerë edhe Hamdi Hysenin e Ismet Mahmutin. Me ta u konsultova dhe ramë në ujdi që me grevë nuk mund të arrijmë asgjë. Kur dolëm në shëtitje shokët përsëri insistonin që të hyjmë në grevë. E kuptova qëllimin e disave se pse dëshironin të hynin në grevë. Ishin të pa dënuar dhe me këtë grevë donin të arrinin qëllimin që të tregojnë se pa faj po mbahen në burgje. Këta nuk e kuptonin se ne jemi pengje, pavarësisht që jemi apo nuk jemi të dënuar. Unë isha i dënuar 20 vite burg të tjerët me dënime të ndryshme por disa ishin të pa dënuar. Pas insistimeve të shumta se do të qëndrojnë në grevë dhe nuk do të thyhen para asnjë presioni, përsëri erdhën tek unë që t’iu bashkëngjitëm dhe të fillojmë grevën. Përsëri insistoja që mos të hyjmë në grevë për arsye se nuk arrijmë që të fitojmë mundësinë e kthimit në Kosovë. Të burgosurit më pyesnin e si mu kthye në Kosovë, na gjej format tjera Ti. U tregoja se Ukshin Hoti ka bërë grevë në burgun e Gjilanit, 13 ditë me 1984, me qëllimin me u kthye në vuajtje të dënimit në Slloveni, sepse atje ishin kushtet e vuajtjes së dënimit më të favorshme. Baca Ukë bëri grevë por nuk e dërguan atje. Kështu që nuk kemi mundësi me arrit në këso situata. Po ata insistonin që do të mbajmë më shumë ditë greve se Ukshini dhe kërkesa jonë është që duam me u kthye në Kosovë. I shikoja të gjithë ata vullnetarët dhe në sy të tyre e vëreja se ata nuk munden të mbajnë grevën. Ata më pyetën sa ditë duhet të qëndrojmë në grevë që të fitojmë betejën. U thashë më së paku 17 ditë. Të gjithë u zotuan se do të mbajnë grevë edhe më gjatë nëse është nevoja.

U thash nëse ju bëni 17 ditë në grevë, unë do i mbaj 21 ditë dhe i fundit kam me qenë që do të heq dorë nga greva dhe nuk do të dal hiq nga ajo pa u kthye në Kosovë. Më në fund  më mbet vetëm mua me thënë po fillojmë apo jo. Këto bisedime i bënim gjatë shëtitores ku ishim të gjitha dhomat jashtë, dhe që sigurisht edhe gardianët e kanë vërejte situatën se diçka po ndodh sepse të gjitha bisedat ishin të fokusuara rreth meje dhe me siguri që tanimë u ka shkuar në vesh edhe eprorëve të burgut se diçka do të ndodhë.

Ne ramë në dakord si qe me hy në grevë më në fund. U tregova se çka do të thotë grevë. Përveç ujit dhe kripës, asgjë tjetër nuk duhet me pranua nga kuzhina. Të gjithë u pajtuan. Këta që se kishin provuar grevën mendonin se është lehtë. U pajtuam që ditën e pasnesërme të fillojmë grevën me mëngjes. Askush të mos e merr ushqimin në dhomë dhe të deklarohen se bëjmë grevë dhe duam të kthehemi në Kosovë. Duhet të gjithë të thonë të njëjtën kërkesë. Ashtu si u morëm vesh ashtu ndodhu. Të nesërmen në mëngjes ra zilja e zgjimit nga gjumi dhe përgatitjes për të pranuar mëngjesin. Në dhomë e parë u hap shpiunka e ushqimit, dhe përgjegjësi i dhomës nuk e pranoj ushqimin, u deklarua se jemi në grevë. Pastaj u hap shpiunka edhe në dhomat tonë dhe në dhoma tjera rend. Të gjithë e kundërshtuam ushqimin dhe i njoftuam se jemi hy në grevë me qëllimin tonë që të kthemëni në Kosovë. Ishte ndjenje e mirë sepse të gjithë ishim unik. Pas refuzimit të ushqimit, pasi e kishim lejen me u ulë në shtretër, u shtrimë dhe prisnim reagimet e drejtorisë së burgut. Nuk vonoi shumë dhe erdhi drejtori i burgut, që përgjegjës për neve ishte Aca Rakoçeviq që kishte qenë edhe në Dubravë drejtor. Rakoqeviqi i shoqëruar me një gardian e që mbante në dorë gazetën Novosti erdhi drejtë e në dhomë tonë nr.22. U ngritëm në këmbë. Drejtori ia nisi të fliste dhe të pyeste se cili është qëllimi i grevës që kishim hyrë. Unë i thash që ne do të bëjmë grevë që të kthehemi në Kosovë. Jemi marrë pengje si dhe veprat janë krye në Kosovë dhe duam atje të vuajmë dënimin. Ai hapi gazetën dhe pyeti a dini serbisht. Thamë po. Lexoje ma dha gazetën në dorë. Aty shkruante, në magjistralen Prishtinë-Podujeve është sulmuar autobusi ‘Nish Expres” dhe janë vrarë 11 serbë dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë. Pasi e lexova, thash ne e dënojmë këtë akt kushdo që e ka bërë sepse kjo është vepër ndaj civilëve, por ne kemi qëllimin tonë dhe greva jonë s’ka të bëjë asgjë me këtë ngjarje. Ne duam të kthehemi në Kosovë. Pas kësaj drejtori Aca Rakoqeviq ia nisi duke piskatë me zë të lartë duke kërkua nga ne që ta ndërpresim grevë, si dhe na kërcënojë duke na thënë se nëse nuk e ndërpritni grevën do u dërgojmë në podrume të këtij burgu me na rrahë si dhe me na shpërndarë nëpër burgjet tjera të Serbisë. I thash ju mund të bëni çka të doni, mundësit i keni, por unë grevën nuk e ndërpres. Pas meje edhe të tjerët folën që nuk e ndërpresin grevën. Doli nga dhoma dhe shkoj nëpër dhoma tjera duke bërtite e kërcënuar për dhunë.

Unë me Hamdiun, Ismetin e tjerët bisedonim në mes veti sepse aty në dhomën tonë disave drejtori ua shtini frikën nga kërcënimet, por tani kishim hy në grevë dhe s’ka kthim prapa.

Pas këtyre erdhi koha e drekës. Gardianët na sollën si zakonisht por edhe drekën e refuzuam. Po ashtu edhe darkën e refuzuam i gjithë kati. Pinim vetëm ujë. Ujin e kishim në dhomë, ehe ËC-në e kishim në dhomë. Shëtitja na u ndërpre sepse ishim në grevë. Edhe ditën e nesërme njëjtë refuzuam tri racionet, dhe po ashtu vazhduan përsëri presionet e kërcënimet. Unë e kisha futur në kokë se kam hy në grevë me një qëllim dhe qëllimi realizohet me  sakrificë. Prandaj duhet të qëndrojmë stoik.

Prisja kur po hapet dera me na marrë e shpërndarë nëpër qeli të burgut. Por ne ishim shumë shqiptar dhe ata nuk kishin aq shumë qeli që të na shpërndanin. Burgu u trazua. Sa njëri e sa tjetri drejtor e mbikëqyrës vinin te dhoma duke na kërkuar me ndërprerë grevën. Kur e panë që s’ka rezultat te ne dolën tek dhomat tjera me presione e kërcënime. Kaloi dhe kjo ditë  e ne të gjithë të pathyeshëm. Të nesërmen e ditës tjetër, në mëngjes dy  të burgosur në  dhomën e parë e morën bukën. E dëgjuam garuzhdën duke mbushur qaj. Te ne në dhomë  njëri doli për të marrë ushqimin me arsyetim se është i sëmur. Ky i burgosur nuk ishte për politikë ishte për vepra ordinere, por ishte shqiptar dreqi ta hajë. Në dhoma tjera filluan me u  thye po ashtu nga një aty këtu kinse janë të sëmurë. Pas kësaj u rrit presioni akoma më shumë dhe kërcënimet me britmë në korridor. Krahu tjetër që ishin më iniciues të grevës vetëm se ishin thye menjëherë nga frika. Por ne qëndronim stoik, nuk mund të na thyenin. U hap dera kur i shohë kolegët të burgosur që këtu s’po i përmendi me emra, duke na lutur të ndërpremë grevën. Unë u thash ju bëni çka të doni ne kemi hy në grevë dhe nuk e ndërpresim tani. Ndërsa Hamdiu i kërcënoi shokët duke u thënë që ne nuk e ndërpresim grevën dhe ju dilni jashtë. Askush nuk ju ka shti me dhunë me bërë greve, vet keni kërkuar tani mbanë fjalën. Pas kësaj situate u mbyll dera, shokët dolën jashtë. Pas pak erdhën gardianët e kërkuan që unë me dal nga dhoma. Thash të përshëndetem me shokët e dhomës. Jo tha  gardiani ke mu kthye përsëri në dhomë, por një delegacion nga ju duhet më i prezantuar kërkesat e grevës. Dola jashtë dhe gardiani më dërgoi te drejtori Aca Rakoçeviq (drejtori i i burgut të Dubravës) aty u bënë të gjithë ne delegacioni nga një për dhoma, të gjithë shqiptar. Unë e përfaqësoja dhomën time numër 22.

 

Pasi hynë më zyrën e tij filluan pyetjet nga ai: a e dini ku jeni? A e dini se çka mundemi me u bërë? A e dini se ju shpërndajmë nëpër Serbi? A e dini  që nëse se ndër preni grevën kem me u  dërguar nëpër qelia të burgut? etj etj. Nga këto kërcënime që bëri Acoja, unë përsëri fola dhe i thash ku të doni më dërgoni, unë s’kam asgjë kundër jush. Unë dua të kthehem në Kosovë. Njëjtë si unë folën edhe të tjerët. Përfaqësuesit e dhomave tjera që ishin të pa dënuar i thanë drejtorit se ju po na mbani këtu koti sepse ne jemi të padënuar dhe po duam të kthehemi në Kosovë. Drejtori ua ktheu atyre se : Ju që jeni të pa dënuar do tu dërgojmë në gjyqe dhe do e kryejmë me juve pasi të merren vendimet nga gjykatat. Tani nga qëllimi i grevës për kthim në Kosovë, qëllimi mori rrugën tjetër se jemi të pa dënuar etj etj. Pas këtyre bisedave unë mora fjalën prap dhe thash: Unë nuk e ndërpres grevën. Na dërguan nëpër dhome tona dhe unë u tregova atyre në dhomë se çka biseduam. Thash unë se ndërpres grevën. Këtu nuk kem hyrë në grevë se a jemi të dënuar apo të pa dënuar, këtu jemi pengje dhe të gjithë jemi të njëjtë si të dënuar si të pa dënuar të gjithë e kemi fatin e njëjtë. U bëra nervozova shumë nga ato që dëgjova nga të burgosurit e pa dënuar. Edhe Hamdiu, ofshani njëherë dhe edhe ai u deklarua se do të vdesë e nuk ka me e ndërprerë grevën.

Ne tashme prisnim presionet dhe veprimet e drejtorisë së burgut me masat e egra ndaj nesh. Në pritje e sipër u hap dera dhe erdhën  të burgosurit e dhomave tjera përsëri tek unë si përfaqësuesi dhomës që ta ndërpresim grevën. Tashmë filloj debati mes nesh ndërsa gardiani dëgjonte e shikonte. Unë u thash kur nuk ua mban pse kërkonit të bëjmë grevë, pse na shtitë në grevë. A ju kam thënë se nuk mundeni me mbajt grevën. A ju kem thënë se nuk duhet mu thye e duhet me qëndruar si burrat. Shokët nuk kishin fjalë, por vetëm lutje. Unë përsëri u thash edhe me ndërpre unë, Hamdiu nuk e ndërpretë dhe unë nuk e lë bashkëvuajtësin vetëm, sepse u kemi lutë mos na shtini në grevë se nuk jeni ata qe qëndroni. Pasi i bëmë këto debate ata dolën dhe shkuan nëpër dhomat e tyre. Tashmë greva na mbeti neve, dhomës tonë që e kemi organizuar. Edhe disa shokë që ishin nëpër dhoma tjera, kishin mbetur edhe ata vetëm, se ishin thye shumica absolute dhe tani situate ishte jashtëzakonisht në disfavor tonin. Edhe dhoma jonë u thye komplet, fatkeqësisht mbetën në grevë vetëm tre të burgosur. Pas pak në dhomën tonë erdhën të burgosurit të cilët ende ishin në grevë, Hajredin Hyseni, Xhelal  Canziba e Agim Hulaj, na kërkuan me ndërpre grevën. Unë u thash, po si i kemi pasur fjalët. Ju kam treguar në fillim që ose duhet me hy deri në fund në grevë ose nuk po hyjmë fare. Ata më thanë që kanë gabuar që u kanë besuar të burgosurve që do të qëndrojnë deri në fund e tani janë tërhequr dhe, tani kemi mbetur pak dhe s’kemi çka të bëjmë. E shoh Hamdiun, ai thotë, jo nuk e ndërpresë. I kthehem Hamdiut e i them vetëm ne të dytë s’kemi çka bëjmë. Duhet me ndërpre edhe ne grevën. Në këmbënguljen e tij serioze e pash që filluan t’i dalin lotët, Hamdiut. Më pas u thashë që edhe ne e ndërpresim grevën por kemi kushtet tona. Para se ta ndërpresim grevën kërkojmë që të na vizitojë Kryqi i Kuq dhe Fondi për të Drejtat  Humanitare e Natasha Kandiq.

Të nesërmen erdhi në vizitë Natasha Kandiq. Me të biseduam për kushtet e burgut, për  mbajtjen e padrejtë në burgjet serbe, për mbajtjen peng në këto burgje, për mungesën e rrobave e mjeteve higjienike, për mungesën e vizitave të familjarëve tanë dhe shumë kërkesa tjera si dhe për grevën që kërkuam të kthehemi në Kosovë.

Ajo na tha që kemi të drejtë të kërkoni kthimin në Kosovë sepse edhe ne si Fond po kërkojmë të njëjtën gjë. I dimë dhe jemi të njoftuar me kërkesat tuaja. Ne do të bëjmë presion dhe do mundohemi me bërë të pamundurën për juve të burgosurit shqiptare.

Pas vizitës se saj ne ju kthyem përsëri rutinës së vujtjes së dënimit në burgun e Beogradit në CZ apo Centrallni Zatvor (përkthim.Burgu Qendror).

Si i vizituan Flora Brovina e Fatmire Zogu të burgosurit në Beograd dhe si u lirua i burgosuri Xhevat Podvorica?

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reprezentuesi i Kosovës në futboll, Milot Rashica është transferuar edhe…