Sindikata e policisë reagon pas suspendimit të 22 zyrtarëve policorë për rastin e ‘gulenistëve’

16 gusht 2019 | 16:55

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar në lidhje me rastin e suspendimit të eprorëve dhe zyrtarëve policor në Gjakovë, si dhe për rastin e policëve të angazhuar në rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Reagimi i kësaj sindikate ka ardhur një javë pas rastit që ka ndodhur në Gjakovë dhe një ditë pas nisjes së hetimeve për 22 zyrtarët policorë.

Kjo sindikatë ka thënë se është brengosëse se si zyrtarët policor linçohen ende pa përfunduar procedurat e hetimit.

“Të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës në zbatimin e detyrave dhe përgjegjësive të tyre edhe në këto raste, sikur veprojnë edhe në të gjitha rastet e tjera gjatë zbatimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre, me përpikëri i kryejnë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë e tyre në harmoni me dispozitat ligjore qe janë në fuqi duke i shërbyer vendit me dinjitet dhe profesionalizëm”.

“Është brengosëse se si ata pa fajin e tyre prezantohen dhe linçohen pa bazë edhe pse ende nuk kanë përfunduar të gjitha procedurat e hetimit lidhur me këto raste. Në këto raste zyrtaret policor kanë zbatuar procedurat e parapara me dispozitat ligjore, Ligjit për Policinë, Ligjit për të Huajt dhe ligjeve tjera në fuqi, procedurat e parapara dhe asgjë tjetër”, është thënë në njoftimin e Sindikatës të Policisë.

Sipas këtij njoftimi, është e pajustifikueshme që gati pas një viti të rastit të ndodhur në Gjakovë të suspendohen eprorë dhe zyrtarë policorë të këtij stacioni.

“Theksojmë, pa tendencë për të ndikuar në rrjedhat e procedurës që janë duke u zhvilluar në organet kompetente të drejtësisë, këta zyrtar duhet të kthehen në vendet e tyre të punës, ndërsa procedurat në organe kompetente të vazhdojnë”.

“Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh indinjatën dhe shqetësimin e gjithë anëtarësisë dhe të punonjësve të Policisë së Kosovës që i përfaqëson lidhur me situatën e krijuar kohëve të fundit përkitazi me prezantimin dhe linçimin përmes një numri të medieve të shkruara dhe atyre elektronike ndaj një numri të zyrtarëve policor të Policisë së Kosovës lidhur me rastin e suspendimit të eprorëve dhe zyrtarëve policor në Gjakovë, si dhe rasti i trajtimit të zyrtarëve policor të angazhuar në rastin e deportimit të 6 shtetasve turq më 29.03.2018 nga Kosova”, është thënë në këtë njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për…