SIPAS BORIS TADIQIT, SERBIA ËSHTË SI UKRAINA, KOSOVA SI RUSIA

09 korrik 2022 | 13:07

Po të ndiqej logjika e Tadiqit, sipas të cilës Serbia e Ukraina duhet të trajtohen njësoj, Perëndimi do të duhej ta bombardonte Ukrainën! Pra, me atë logjikë të çoroditur të Tadiqit, Kosova i bie të duket agresore, sikur Rusia. E palogjikshme? Plotësisht.

Milazim KRASNIQI

Ish presidenti i Serbisë, Boris Tadiqi, është gënjeshtar i madh, kur flet për Kosovën. Realisht, kur ishte president i Serbisë, me gënjeshtrat e tij ai i pati mashtruar shumë njerëz në Bruksel e edhe në Uashington, për gjoja prirjet evropiane të Serbisë. Sa më shumë që Serbia po bëhej putiniane, (Tadiqi ia hapi dyert GAZPROM-it rus në Serbi) ai e prezentonte se gjoja po bëhej më shumë evropiane.
Njëra nga gënjeshtrat që Tadiqi e përsëritë si papagall është se gjoja Perëndimi ka mbajtur qëndrim kontradiktor në rastin e Serbisë e të Ukrainës. Në një kolumne të “Boston Herald”, Tadiqi thotë se “standardet e dyfishta rrezikojnë përparësinë më të madhe të Perëndimit- autoritetin e tij moral, në kohën kur fuqitë e tjera dhe fuqitë në ngritje po e arrijnë ndikimin e Perëndimit.” Por, në rastin e Serbisë dhe të Ukrainës nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë standard të dyfishta, sepse nuk kanë asnjë ngjashmëri. Përderi sa Ukraina ka dalë nga BRSS si shtet i pavarur dhe pa pretendime ndaj republikave të tjera ish sovjetike, Serbia ka formuar njënashëm dhe dhunshëm “Jugosllavinë e Zhablakut”, vetëm me Malin e Zi dhe ka pasur pretendime direkte territoriale kundër Kroacisë, Bosnjes dhe ka dashur ta mbajë të okupuar Kosovën. Ndonëse komisioni i Badenterit kishte shpall se Jugosllavia më nuk ekzistonte, Serbia kishte vazhduar të sillej sikur të ishte Serbia Jugosllavi, duke përdorë ish armatën jugosllave për projektin e krijimit të Serbisë së Madhe. Kosova në kuadër të federatës së Jugoslalvisë kishte qenë pjesë konstituitive e federalizmit jugosllav, ( me të drejtën e vetos në kryesinë federative) për ç’arsye edhe kishte të drejtën që të shprehte vullnetin politik, kur Jugosllavia po shpërbëhej. Ai vullnet politik u shpall në mënyrë legale nga Kuvendi i Kosovës me Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik 1990, duke shpall se Kosova kërkonte të ishte njësi e barabartë në federatën ose konfederatën e ridizajnuar jugosllave. Pra, nuk kishte kërkuar secesion të njëanshëm po kishte këkruar barazi në federatën/konfederatën e rizidajnuar. Vullneti i saj legal nuk ishte marrë aspak para sysh. Përkundrazi, më 5 korrik 1990 Kosova u pushtua me tanke, u pushtua parlamenti, u hoq qeveria, u mor nën kontrollin direkt serb Radiotelevizioni i Prishtinës. Edhe pas atyre masave okupuese, populli i Kosovës e vazhdoi refuzimin e okupimit me mjete politike paqesore, por represioni njohu përshkallëzim edhe më të egër, i cili ;oi në një kryengritje të armatosur dhe në intervenimin ndërkombëtar. Ndërsa rajonet e Donbasit dhe Krimeja nuk kanë pasur ndonjë status autonom në kuadër të Republikës Sovjetike të Ukrainës dhe nuk kanë qenë të ekspozuara spastrimit entik dhe gjenocidit ukrainas. Përkundrazi, kryengritja që nga fillimi ka qenë e armatosur dhe e sponsorizuar direkt nga Moska.
E dyta, Serbia ka qenë agresore ndaj Koracisë, Bosnje e Hercegovinës dhe Kosovës, me pretendimin që ta krijohej Serbia e Madhe mbi gërmadhat e ish federates së Jugosllavisë. Ndërsa, Ukraina është viktimë e agresionit të Rusisë, e cila po synon ta rikthejë gërmadhën e ish federatës sovjetike. Rrjedhimisht, Serbia duhej të frenohej me presione ekonomike, diplomatike e ushtarake, për të ndërprerë politikat e saj të spastrimit etnik dhe të gjenocidit, ndërsa, Ukraina po ndihmohet pikërisht që të mbijetojë mbi politikat e spastrimit etnik dhe të gjenocidit rus kundër saj. Po të ndiqej logjika e Tadiqit, sipas të cilës Serbia e Ukraina duhet të trajtohen njësoj, Perëndimi do të duhej ta bombardonte Ukrainën! Pra, me atë logjikë të çoroditur të Tadiqit, Kosova i bie të duket agresore, sikur Rusia. E palogjikshme? Plotësisht. Por në konkluzione të tilla mizore vijnë ata që politikën e konsiderojnë mashtrim, gënjeshtër, siç bën Boris Tadiqi, jo vetëm në kolumën e tij në “Boston Herald.” Si gënjeshtar dhe manipulant, Tadiqi tashmë është refuzuar edhe nga populli serb. Është refuzuar deri në atë masë sa që partia e tij nuk arriti të kalonte censusin as në parlamentin e kryeqytetit serb. Ama ai vazhdon të gënjejë si i biri i babës që është, pra, si i biri i akademikut Luba Tadiq, për të cilin thuhet se është njëri nga autorët e Memorandumit 2, i cili edhe u publikua kur Borisi ishte president i Serbisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vizituar sot Bashkësinë Islame…