Sipas ekspertëve, viti 2023 do të jetë më i nxehti në histori

08 nëntor 2023 | 14:13

Ky tetor ishte më i nxehti i regjistruar globalisht, 1.7 gradë më i nxehtë se mesatarja për muajin tetor para epokës industriale  si dhe muaji i pestë me radhë me një rekord të tillë, që nënkupton se është pothuajse e sigurt se viti 2023 do të jetë viti më i nxehtë i regjistruar në histori.

Tetori ishte 0.4 gradë më i nxehtë sesa rekordi paraprak për tetorin nga viti 2019, duke e habitur madje edhe Samantha Burgessin, zëvendësdrejtoreshën e Shërbimit të Bashkimit Evropian për Ndryshime Klimatike, Copernicus.

“Shkalla me të cilën po i thyejmë rekordet është tronditëse”, ka thënë Burgess.

Pas të nxehtit të muajve të fundit, është praktikisht e sigurt se viti 2023 do të regjistrohet si viti më i nxehtë në histori, sipas Copernicus.

Shkencëtarët i vëzhgojnë klimat e ndryshme për ta kuptuar se si planeti jonë zhvillohet si pasojë e emetimeve të gazrave serë nga dora e njeriut. Një planet më i nxehtë nënkupton mot ekstrem më të shpeshtë, si thatësira të mëdha apo uragane që përmbajnë më shumë ujë, ka thënë Peter Schosser, zëvendëspresident i Laboratorit për të Ardhme Globale në Universitetin e Shtetit të Arizonës.

“Kjo është një shenjë e qartë se ne po shkojmë drejt një regjimi klimatik i cili do të ketë më shumë ndikim tek njerëzit”, ka thënë Schlosser.

Ky vit ka qenë tejet i nxehtë kryesisht për shkak se oqeanet janë duke u ngrohur, që nënkupton se ato po punojnë më pak tani se në të kaluarën për t’iu kundërvënë ngrohjes globale. Historikisht, oqeani e ka thithur 90 për qind të të nxehtit tepricë nga ndryshimi klimatik, ka thënë Burgess.

Kjo nënkupton, sipas Schlosser, se bota duhet të përgatitet për rekorde të reja si pasojë e ngrohjes. Ai shtoi se planeti po e tejkalon tashmë 1.5 gradë të ngrohjes prej epokës para industriale dhe se planeti ende nuk e ka parë ndikimin e plotë të ngrohjes.

Ai, Burgess dhe shkencëtarët e tjerë thonë se nevoja për të vepruar për t’i ndaluar emetimet që po e ngrohin planetin është urgjente tani. /REL

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionia e Kosovës në futboll, Ballkani nesër (e enjte) përballet…