Sistemi juridik ka dështuar në identifikimin e grupit terrorist që vrau aktivistin Dehari

18 tetor 2023 | 08:16

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, ka kritikuar institucionet ligj-zbatuese, me theks Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila sipas tij ka dështuar në identifikimin e grupit terrorist që ka vrarë aktivistin Astrit Dehari.

Edhe në këtë rast, Gashi ka ripërsëritur se aktivisti Dehari është vrarë në një institucion shtetëror dhe shteti është përgjegjës për vrasjen e tij.

“Sistemi juridik dështon në identifikimin grupit terrorist vendor! Grupi terrorist, i organizuar mirë, i cili vrau Astrit Deharin me 05.11.2016, ende nuk është identifikuar nga Policia e Kosovës e as nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Organet ligj-zbatuese te Kosovës fare lehtë po i identifikojnë grupet terroriste të cilat kanë vepruar dhe ende veprojnë në veriun e Kosovës, e grupet terroriste të ardhura nga Serbia – siç ishte grupi terrorist i 24 shtatorit të këtij viti, madje edhe po i vrasin këta terroristë – mirë po ua bëjnë. Por, të njëjtat organe (kaq) efikase në raport me identifikimin e grupeve terroriste të Serbisë, kanë dështuar 100% në identifikimin e grupit terrorist që vrau aktivistin e Lëvizjes VETEVËNDOSJE! Astrit Dehari, me 05.11.2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren”, ka shkruar Gashi në reagimin e tij.

Në shtrimin e shumë kritikave, avokati Gashi ka kërkuar nga organet ligj-zbatuese që të gjejnë vrasësit ose le të deklarohen publikisht të paaftë për të kryer punët që i kanë të përcaktuara me ligj.

“Ose gjeni vrasësit e Astrit Deharit, ose deklarohuni publikisht te paaftë për ta bërë këtë – sepse, për pak ditë do të bëhen 7 vite nga vrasja e Astritit, në duar të shtetit, e për arsye 100% politike”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, theksoi se Shqipëria…