S’ka vullnet politik për ndërmarrjen “Trepça”

14 nëntor 2018 | 15:19

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, dhe përfaqësuesit e Bordit të “Trepça”, sh.a, ishin të ftuar që të raportojnë sot për gjendjen e “Trepçë”-s para anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

Kjo mbledhje ka dështuar në mungesë të kuorumit të anëtarëve të komisionit, gjithashtu edhe të mosprezencës së ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

Pas gjysmë ore pritje dhe mungesës së kuorumit, kryesuesja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, Sala Berisha-Shala, e ka përmbyllur takimin,

Mirëpo edhe pse ishte prezent kryesuesi i Bordit të “Trepçë”-s, Ardian Syla, këtij i është pamundësuar raportimi në mungesë të kuorumit.

Berisha-Shala ka thënë se është për keqardhje mungesa e deputetëve dhe mungesa e vullnetit politik sa i përket funskionalizimit të ndërmarrjes “Trepça”.

“Është për keqardhje mungesa e deputetëve në komision dhe mungesa  e vullnetit politik. Ne e shohim se në çfarë gjendje është ‘Trepça’, prandaj duhet të jemi më vigjilent në këtë drejtim”, ka deklaruar ajo.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin Sala Berisha-Shala, Hymete Bajrami, Liburn Aliu, Memli Krasniqi dhe Adem Hodza.
Ndërkaq, munguan Dardan Sejdiu, Lutfi Zharku dhe Duda Balje, Muharrem Nitaj dhe Veton Berisha.

(A. Mavraj)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, ka hedhur poshtë para medieve…