Skandali i vërtetë i KEDS, nga miti i “26 milionëve” te heshtja gjashtë vjeçare e Kurtit, që demaskon një kauzë të ndërtuar mbi manipulim
Shkruan: Hisen Berisha
Vetëvendosja, që dikur e etiketonte privatizimin e KEDS-it si “tradhti kombëtare” dhe “shitje e lirë për 26 milionë euro”, sot është shndërruar në mbrojtësen më të zëshme të të njëjtit operator që dikur e sulmonte me ashpërsi politike.
Në vend të një qasjeje të rreptë institucionale ndaj kontratës, në vend të presionit për uljen e humbjeve teknike dhe komerciale dhe frenimin e abuzimit me pozitën monopoliste, qeveria Kurti ka ndjekur një rrugë krejt tjetër, pra, tolerim, heshtje dhe rritje të barrës mbi qytetarët.
Në këtë periudhë, të hyrat e lejuara për KEDS-KESCO janë rritur nga rreth 220 milionë euro në mbi 419 milionë euro, duke u reflektuar drejtpërdrejt në faturat gjithnjë e më të larta për konsumatorët dhe bizneset. Paralelisht, liberalizimi i pjesshëm i tregut të energjisë është dizajnuar në mënyrë të tillë që në praktikë të mos prodhojë konkurrencë reale, por të forcojë pozicionin e operatorit ekzistues.
Ndërkohë, mungesa e masave të forta institucionale ndaj shkeljeve të kontratës mbetet një konstante. Dështimet në uljen e humbjeve dhe përmirësimin e efikasitetit nuk janë shoqëruar me ndëshkim apo korrigjim të detyrueshëm.
Një element kyç mbetet edhe çështja e normës së fitimit të lejuar. Në sistemet e rregulluara energjetike, kthimi mbi kapitalin e investuar (WACC) zakonisht sillet në intervalin 6–8%.
Në Kosovë, ky standard është zbehur në praktikë, ndërsa procesi rregullator është shndërruar në një mekanizëm formal miratimi të kërkesave për rritje të të hyrave.
Në këtë kontekst, ZRRE perceptohet gjerësisht si institucion që aprovon, më shumë sesa rregullon në mënyrë efektive.
Kjo qasje ka krijuar një realitet ku barra financiare zhvendoset vazhdimisht tek qytetarët, ndërsa kontrolli mbi performancën e operatorit mbetet i kufizuar.
Një tjetër pikë e debatit publik lidhet me mënyrën se si është interpretuar çmimi i privatizimit të KEDS-it.
Manipulimi politik i viteve të kaluara e ka reduktuar transaksionin në “26 milionë euro”, duke e përdorur si simbol të shitjes së lirë të aseteve publike.
Megjithatë, struktura reale e marrëveshjes ka qenë më komplekse.
Krahas pagesës fillestare prej 26 milionë euro, konsorciumi Limak-Çalik është zotuar për investime të detyrueshme në infrastrukturë në vlerë prej rreth 300 deri në 390 milionë euro.
Në total, vlera e angazhimit kontraktual arrin në rreth 326 deri 416 milionë euro.
Ky dallim mes pagesës fillestare dhe detyrimeve investuese ka qenë shpesh i anashkaluar në debatin politik, duke prodhuar një narrativë të thjeshtuar për konsum publik.
Sot, pas më shumë se gjashtë vitesh qeverisje, çështjet thelbësore mbeten të hapura, si monitorim i dobët i kontratës, mungesë e presionit për realizimin e plotë të investimeve, mungesë e masave korrigjuese ndaj shkeljeve dhe rritje e vazhdueshme e të hyrave të rregulluara.
Në këtë kuadër, kontrasti mes retorikës së dikurshme dhe praktikës qeverisëse aktuale është i dukshëm. Një diskurs i ndërtuar mbi kritika të forta ndaj privatizimit është zëvendësuar nga një qasje institucionale e butë ndaj të njëjtit sektor.
Kjo nuk është vetëm çështje politike. Është çështje e menaxhimit të një monopoli natyror, e rregullimit të tregut dhe e kostos që bie mbi qytetarët dhe bizneset.
Në fund, debati nuk qëndron më te slogani i 26 milionë eurove, por te mënyra se si është menaxhuar një kontratë strategjike dhe te mungesa e përgjegjësisë institucionale për rezultatet që ajo ka prodhuar.
Mashtrimi ishte i kalkuluar. Propaganda për 26 milionë ishte gënjeshtër e pastër për të nxitur urrejtje.
Populli nuk është budalla.
Koha e iluzioneve ka mbaruar.
Vetëvendosja premtoi revolucion, por solli vetëm korrupsion institucional të veshur me fjalë patriotike.
Populli nuk harron.
Ata që dikur shitnin iluzione anti-privatizim, sot janë bërë partnerët më të mirë të monopolit.
Ky është mashtrimi më i madh i Vetëvendosjes.
Pra, çfarë ndodhi me kauzën?
A ishte ajo një bindje reale, apo një instrument politik për të ardhur në pushtet?
Sepse realiteti aktual bie ndesh drejtpërdrejt me retorikën e atëhershme. Jo vetëm që kontrata nuk u shkëput.
Në të njëjtën kohë, vendimet strategjike të kësaj qeverie në sektorin energjetik e thellojnë edhe më tej këtë kontradiktë. Refuzimi i projektit amerikan për ndërtimin e një termocentrali të ri (2017–2022), që synonte pavarësimin energjetik të Kosovës, ka lënë vendin pa një alternativë të qëndrueshme prodhimi dhe ka prodhuar kosto financiare në formë penalitetesh mbi 20 milionë euro.
Po ashtu, refuzimi i projektit të gazit dhe dështimi për të realizuar investimet në kapacitetet mbështetëse, përfshirë bateritë energjetike, e kanë lënë Kosovën në një pozitë të vështirë strategjike.
Sot, vendi mbetet i varur në masë të madhe nga importi i energjisë, i ndërlidhur me rrjete tregtare rajonale të komprometuara që shkaktojnë implikime më të gjera gjeopolitike dhe strategjike.
Kjo nuk është thjesht çështje ekonomike, është çështje e sigurisë kombëtare.
Dhe pikërisht këtu qëndron thelbi i kritikës, dhe heshtja e sotme nuk është neutrale. Ajo është pranim implicit se narrativa e dikurshme ka qenë e stisur, e ekzagjeruar ose e instrumentalizuar për qëllime politike.
Nëse një proces është shpallur “kriminal” dhe “korruptiv”, atëherë mosveprimi për ta korrigjuar atë kur ke pushtetin për ta bërë nuk mund të justifikohet. Ai ose nënkupton pranim të gabimit, ose përfshirje në të njëjtën logjikë që dikur është denoncuar.
Raportet e ZRRE-së dot, janë pasqyrë që reflektojnë jo vetëm performancën e një kompanie, por edhe zbrazëtinë e një kauze politike që u përdor për mobilizim elektoral.
Kontrasti mes retorikës së dikurshme dhe praktikës aktuale është i dukshëm dhe ai diskurs i ndërtuar mbi akuza të forta është zëvendësuar nga një qasje që në praktikë legjitimon të njëjtin realitet që dikur demonizohej.
Mashtrimi ishte i kalkuluar, dhe debati nuk qëndron më te slogani i 26 milionë eurove. Ai shërbeu si instrument për të nxitur zemërim dhe për të ndërtuar kapital politik mbi një narrativë të thjeshtuar dhe të njëanshme.
Ata që dikur shitnin iluzione anti-privatizim, sot janë bërë partnerët më të mirë të monopolit, por edhe orintimit ka prona shtetrore e tipit socialist e gjithkuj kur përfitohet, dhe e askujt kur kërkohet përgjegjësi.
Dhe kjo është esenca e problemit, jo çmimi prej 26 milionë eurosh, por heshtja gjashtë vjeçare që demaskon një projekt politik të ndërtuar mbi manipulim, jo mbi fakte.



