Skender Reçica: Nisma Socialdemokrate është rritur dhe fuqizuar në çdo cep të vendit
Kandidati për deputet i koalicionit Nisma-AKR-PD, Skender Reçica, ka thënë se Nisma Socialdemokrate është rritur dhe fuqizuar e shtrirë në çdo cep të vendit.
Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Nisma është shndërruar në shpresë për qytetarët të cilët tashmë e kanë ndarë mendjen se kujt t’i japin besimin në zgjedhjet e 6 tetorit.
“Takimet që patëm këto ditë me qytetarë, përkrahës e struktura të Nismës gjithandej Kosovës na dëshmuan që Nisma dhe planprogrami i saj zhvillimor, parimet e saj socialdemokrate dhe mbi të gjitha shërbimi me nderë e përkushtim për vendin dhe qytetarët e saj, bëjnë që NISMA në Qeveri të jetë nevojë imediate, më shumë se sa dëshirë. Besimi i dhënë nga qytetarët është detyrë e përgjegjësi për ne që zërin e tyre ta adresojmë, ashtu siç kemi bërë me përgjegjësitë e marra përgjatë qeverisjes aktuale. 6 tetori do të kthejë shpresën për qytetarët”, ka shkruar Reçica.
/Epoka e re/