Sllovakia vendos t’i japë Ukrainës avionë luftarakë ‘MiG-29’

17 mars 2023 | 13:46

Qeveria e Sllovakisë ka miratuar të premten një plan për t’i dhënë Ukrainës 13 avionë luftarakë të kohës sovjetike, “MiG-29”, duke u bërë vendi i dytë anëtar i NATO-s që dëgjon kërkesat e qeverisë ukrainase për avionë luftarakë, për të ndihmuar në mbrojtjen e saj kundër pushtimit të Rusisë.

Kryeministri sllovak, Eduard Heger, duke njoftuar vendimin gjatë një konference për media, tha se qeveria e tij ishte “në anën e duhur të historisë”.

Më herët, Heger ka shkruar në “Twitter” se ndihma ushtarake ishte thelbësore për të siguruar që Ukraina të mund të mbronte veten dhe të gjithë Evropën kundër Rusisë.

Polonia ka njoftuar të enjten se edhe ajo do t’i japë Ukrainës disa avionë “MiG-29”, duke filluar me katër që pritet të dorëzohen në ditët në vijim. Si Polonia, ashtu edhe Sllovakia ishin shprehur të gatshme edhe më parë të plotësonin kërkesat e Ukrainës për avionë ushtarakë, por vetëm si pjesë e një koalicioni më të gjerë ndërkombëtar.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se avionët e premtuar ishin një shembull tjetër i anëtarëve të NATO-s që “ngrenë nivelin e përfshirjes së tyre të drejtpërdrejtë në konflikt”.

“Dorëzimi i pajisjeve natyrisht nuk do të ketë ndonjë ndikim në rezultatin e operacionit special ushtarak, por mund të sjellë më shumë fatkeqësi për Ukrainën dhe popullin ukrainas”, ka thënë Peskov gjatë një konferencë me gazetarët.

Sllovakia do të marrë 200 milionë euro nga Bashkimi Evropian si kompensim dhe armë të paspecifikuara nga Shtetet e Bashkuara me vlerë 700 milionë euro, në këmbim të dhënies së avionëve të saj, tha ministri i Mbrojtjes, Jaroslav Nad.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka kërkuar vazhdimisht vendeve perëndimore avionë luftarakë, por aleatët e NATO-s janë treguar të përmbajtur, duke përmendur shqetësimin për përshkallëzimin e rolit të aleancës në luftë.

Në përgjigje të njoftimit të Polonisë të enjten, Shtëpia e Bardhë ka thënë se masa e Varshavës nuk do të kishte asnjë ndikim tek presidenti Joe Biden, i cili i ka rezistuar thirrjeve për të ofruar avionët amerikanë “F-16” për Ukrainën.

Përpara pushtimit të plotë të Rusisë në shkurt të vitit 2022, Ukraina kishte disa dhjetëra “MiG-29” që trashëgoi pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, por është e paqartë se sa prej tyre mbeten në shërbim pas më shumë se një viti luftimesh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia ka kërcënuar se do të shkatërrojë çdo avion luftarak…