Smajl Latifi premton qendër për magazinimin dhe ruajtjen e prodhimeve bujqësore

03 nëntor 2021 | 20:49

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili në zgjedhjet lokale sërish i ka hyrë garës edhe për një mandat qeverisës, ka thënë se kjo komunë do ta ketë një qendër për magazinimin dhe ruajtjen e prodhimeve bujqësore.

“Orientimi ynë kryesor do të jetë bujqësia, duke bërë investime të reja e në modernizimin e punës në bujqësi, në mënyrë që të rritet prodhimtaria, kualiteti dhe përfitimet për fermerët. Për përmbushjen e këtij premtimi, në bashkëpunim me donatorët e partnerët, synojmë ndërtimin e një qendre të madhe magazinuese, me kushte adekuate për ruajtjen e produkteve të të gjithë bujqve rahovecas dhe hedhja në treg e produktit të tyre të bëhet kur tregu ka mungesë”, ka thënë Latifi.

Ai ka bërë me dije se kjo qendër parashihet të ketë 7 njësi (pika), ose 7 kooperativa (biznese), dhe do të ketë një kosto deri në 350 mijë euro, me kapacitet total rreth 500 – 550 ton, ku secila prej njësive parashihet të ketë afro 80 ton.

“Sipërfaqja totale e qendrës do të jetë 1050 m2 (105 m gjatësi dhe 10 m gjerësi). secila pikë (njësi) ka nga 150 m2, ku nga 100m 2 do të jenë dhoma frigoriferike për ruajtjen e produkteve të freskëta, nga 20m2 për ftohjen e shpejtë të produktit me anë të shok-frigoriferit, si dhe nga 30m2 për hapësira pranuese dhe selektuese të produktit. Në këtë qendër prodhimet tona të gatshme mund të ruhen deri në 5 muaj”, ka thënë Latifi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku ka…