Smajl Latifi, qytetarëve të Rahovecit: Mos dilni për festën e ‘Shën Gjergjit’

05 maj 2020 | 00:17

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të bëjnë shumë kujdes dhe të mos mblidhen pa nevojë, më 5 dhe 6 maj, me rastin e festës së “Shën Gjergjit”.

Latifi ka urdhëruar Inspektoratin Komunal që të bëjë vendosjen e shiritave në vendet ku kjo festë mbahet tradicionalisht, pra në fshatrat: Pataqan i Ulët dhe Dejnë.

Në bazë të kësaj urdhërese është i ndaluar rreptësisht grumbullimi i dy ose më shumë personave, po ashtu, aktivitete të tilla në këtë kohë janë të ndaluara me rekomandim të qartë të IKSHPK-së, me qëllim të ruajtjes së shëndetit dhe parandalimit të përhapjes së Covid-19.

Komuna e Rahovecit ka njoftuar se gjatë këtyre ditëve, Stacioni Policor në Rahovec në bashkëpunim me Inspektoratin Komunal do të jenë vazhdimisht në terren për kontrollimin dhe mbikëqyrjen e situatës, e ndaj të gjithë atyre që nuk respektojnë këto masa dhe kufizime, do të merren të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë gjobat mandatore dhe masa të tjera ndëshkuese, të parapara me ligjet dhe aktet nënligjore të aplikueshme në Republikën e Kosovës.

Kryetari Latifi nëpërmjet një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka porositur qytetarët që të vetëpërmbahen, të kenë kujdes, sepse ende ekziston rreziku i përhapjes së Covid-19 në vendet ku ka grumbullim të njerëzve.

“Shpresoj se kësaj radhe të na mirëkuptoni, ngase ne jemi të detyruar karshi rrethanave dhe rrezikut në të cilin gjendemi, të jemi seriozisht të kujdesshëm!”, ka thënë Latifi.

(Mal Qorraj / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Stadiumi i kampiones në fuqi të Kosovës në futboll, Feronikeli…