SOCIOLOGJIA DHE INTELEKTUALËT

06 dhjetor 2021 | 08:15

B. BENET dhe M. BERGER

Emri “intelektual”[1] është një ndër ato fjalë e cila, pavarë­sisht prej mungesës së konsensusit, vazhdon të jetë aktuale. Ndërkaq ende vazhdojnë përpjekjet për përcaktimin e këtij termi, duke pyetur kush janë intelektualët apo ç’bëjnë ata. Por, këto pyetje, ndonëse janë të dobishme, mua m’u dukën të papërfunduara. S’ka pikë dyshimi, disa intelektualë janë të izoluar ose të vetmuar, ndërsa një numër i madh i tyre janë tëhuajsuar. “Neuroza” është e përhapur mes tyre. “Papërgje­gjësia”, megjithëse tani ka dalë prej modës, afirmohet nga disa. Janë pothuajse magjike karagjozllëqet e tyre. Por, siç na rikujton Filokteti, ata shpeshherë kanë ndonjë sëmundje kutër­bima e së cilës i shtrëngon të jetojnë në margjinat e shoqërisë. Është e vërtetë se ata krijojnë dhe transmetojnë herë pas here vlera kulturore. Mirëpo, ka dy lloj vështirësish në definimin e kuptimit të kësaj fjale. Së pari, raportet ndërmjet kritereve kyçe të këtyre definicioneve dhe pikëpamjet e definuara në to janë tejet transparente. Së dyti, sipas mendimit tim, është më interesante se kjo fjalë përdoret nga të gjithë, por përpjekjet për ta definuar atë në përgjithësi janë injoruar. Prandaj, shtrohet pyetja, kush janë intelektualët, me çfarë merren ata, më parë se çka mendojnë të tjerët për ta, sidomos ata të cilët e përdorin këtë term, e më pas mund të shtrohen çështje të tjera rreth domethënies së këtij termi.

Lidhur me këtë [2] para disa vjetësh mora pjesë në forumin (Roli i intelektualit në shoqërinë moderne) që u mbajt në Muzeun e Arteve Moderne në Nju-Jork. Anëtarët e panelit ishin Grenvill Hiks, Kllement Grinberg, V. H. Oden dhe Robert Gorhem Dejvis. Odeni e mori fjalën i fundit në këtë forum dhe duke i shprehur mendimet e tij, ai i shikonte kolegët në sallë, të cilët ishin të përzgjedhur për të diskutuar për këtë çështje. Hiksi, tha ai, ishte romansier dhe kritik letrar; Dejvisi ishte kritik letrar dhe profesor i anglishtes; Grinbergu ishte një kritik i artit dhe redaktor i revistës Commentary (Komentatori); dhe Odeni i cili u paraqit si poet dhe kritik. Po të mbahej ky forum në Lindjen e Mesme, vuri në dukje ai, ne, anëtarët e panelit, do të ishim pjesëtarë të klerit; gjatë shekujve XVI dhe XVII ne do të ishim kryesisht shkencëtarë dhe studiues të shkencave natyrore; ndërkaq në shekullin XX ne jemi kryesisht njerëz të letrave. Odeni nuk kishte për qëllim që të përgjigjej në pyetjen që e kishte bërë në mënyrë implicite, por pyetja është kruciale, ngaqë imazhi bashkëkohor i intelektualit është, besoj unë, krye­kreje letrar dhe ky koncept është fuqizuar nga fakti se janë njerëzit e letrave ata të cilët kanë treguar më së shumti interesim dhe kanë shkruar më së shpeshti rreth çështjeve të intele­ktualëve.

Por[3], do të ishte gabim që të pretendohej se, për shkak që intelektuali vlerësohet në bazë të imazhit të njerëzve të letrave, tipari i tij kryesor është se ai është një artist ose studiues i letërsisë. Identifikimi i tij si intelektual konsiston jo aq shumë në vlerat estetike të romaneve, dramave, poezive, eseve apo veprimtarisë kritiko-letrare, por në pretendimin e tij të rolit të komentuesit të kulturës bashkëkohore dhe interpre­tuesit të përvojës moderne. Por, nëse intelektualët janë ata të cilët e marrin këtë rol atëherë, sipas Odenit, ende mbetet pa përgjigje pyetja implicite: Përse, në epokën tonë, kanë qenë pikërisht letrarët ata të cilët e kanë luajtur rolin e intelektualit? Janë, pra, pikërisht përpjekjet për t’u përgjigjur në këtë pyetje që do ta qartësojnë dhe shkoqisin më mirë raportin midis “intelektualëve” dhe qasjes së stereotipave të sociologëve lidhur me këtë çështje.

Në kohën[4] tonë letrarët e kanë përvetësuar rolin e intele­ktualit për shkak të: (a) lirisë së tyre maksimale nga kërkesat anakronike për specializime teknike; (b) lirisë së tyre (në kuadër të statusit të tyre si letrarë) për të bërë vlerësime të pavarura, të lira dhe të pakompromis për vlerat; dhe (C) lirisë së tyre maksimale nga kufizimet institucionale.

A. Specializimi. Ashtu siç kam vënë në pah, intelektualët janë komentuesit e kulturës bashkëkohore dhe interpretuesit e përvojës moderne; ata janë kritikë, liberalë apo konservativë, radikalë ose reaksionarë të jetës moderne. Kompetenca e tyre nuk është e kufizuar dhe përfshin asgjë më pak se jetën e tërë kulturore të një kombi. Nëse vijnë nga qarqet akademike, ata mund të jenë edhe specialistë të fushave të ndryshme, por specializimet e tyre profesionale në përgjithësi nuk interferojnë dhe ndikojnë në statusin e tyre të intelektualit. Në shkencat humane, e sidomos në letërsi, specializimi nënkupton eksper­tizën për një periudhë të caktuar historike dhe figura (perso­nalitete) të rëndësishme të asaj fushe si, fjala vjen, dr. Xhonsoni dhe letërsia angleze e shekullit XVIII; rëndësia e Zhidit në letërsinë franceze të shekullit XX; Princ Meterniku dhe historia e Evropës pas vitit 1815; Kanti, Hegeli dhe idea­lizmi gjerman gjatë periudhës 1750-1820. Specializime si këto nuk i parandalojnë dhe i pengojnë letrarët që ta marrin rolin e intelektualit ngaqë traditat e studimeve të shkencave humane inkurajojnë përvetësimin e kulturës në tërësi. Ato cytin komen­timin dhe interpretimin “e sfondeve” shoqërore, kulturore, shpirtërore të fushave në të cilat ata janë ekspertë. Shkencat humane dhe artet “e veçanërisht letërsia” u sigurojnë intele­ktualëve një status profesional që nuk i pengon ata pothuajse aspak për realizimin e rolit të tyre të intelektualit. Nga ana tjetër, për shkak se sociologjia emprike mbështetet dhe u për­mbahet “metodave shkencore”, shpeshherë e bën atë jokom­petente që të merret me “probleme të mëdha” dhe kësisoj dendur ua pamundëson sociologëve që të thonë ndonjë gjë që nuk mund ta vërtetojnë.

B. Vlerat. Me rastin e komentimit të kulturës bashkëkohore dhe interpretimit të përvojave bashkëkohore, intelektualët nuk kanë ndonjë detyrim apo nuk sanksionohen nëse kanë qasje “të shkëputur” ose edhe “objektive”. Për dallim nga socio­logu, i cili duhet të veprojë konform parimeve dhe rregullave të respektimit të ndarjes së qartë ndërmjet fakteve dhe vlerave, intelektuali pritet që të gjykojë dhe të vlerësojë, të çmojë dhe të akuzojë, në mënyrë të lirë dhe të pavarur, që të fitojë përkrahës për pikëpamjen e vet dhe ta mbrojë qëndrimin e tij kundër armiqve të intelektualëve. Në kontekstin e një debati të lirë mes intelektualëve, ushtrimi i këtij funksioni e merr trajtën e polemikave, ndërkaq, në një kontekst akademik, kjo çështje shndërrohet në një dukuri të “shkollave të mendimit”. Problemi konsiston në atë se, ndërsa në sociologji ekzistenca e shkollave të mendimit është një çështje me të cilën merren të gjithë (meqë është një përkujtues konstant që dëshmon se nuk dihet gjithçka në shkencë, opinioni tolerohet vetëm kur faktet nuk janë në dispozicion). Në shkencat humane ekzistenca e shkollave të mendimit pranohet si normale dhe e duhur, sepse shkencat humane aktivisht inkurajojnë vlerësimin, zhvillimin e pikëpamjes dhe heterogjenitetin e interpretimit.

C. Liria nga kufizimet dhe pengesat institucionale. Njerëzit e letrave kanë qenë të zot që më shumë se pjesëtarët dhe shtresat e tjera të shoqërisë të rezistojnë ndaj tendencave të burokratizimit të jetës intelektuale. Kjo ka qenë e mundur për shkak të tregut të madh të letërsisë sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për shkak të mundësive të shitjes së artikujve dhe shkrimeve kritike dhe interpretuese në revista si të nivelit të lartë, po ashtu edhe të nivelit të ulët, të cilat, përkundër kundërshtimit të pareshtur ndaj një qasje të kundërt prej kësaj, vijojnë të lulëzojnë në këtë vend. Mundësia dhe aftësia e shkrimtarëve të pavarur për ta siguruar ekzistencën e tyre, pa u varur nga një pagë nga universiteti ose nga një organizatë tjetër më e madhe, e rrit në maksimum mundësinë që ata të jenë kritikë ndaj jetës bashkëkohore. Këto mundësi s’ekzistojnë për socio­logët. Për më tepër, hulumtimet e mëdha sociologjike zakonisht janë kërkime “ekipore”, ndërsa studimet letrare dhe të shken­cave humane nëpër universitete kanë të bëjnë me kërkime kryesisht individuale. S’do mend se përgje­gjësia kolektive për një vepër apo projekt e kufizon mundësinë e studiuesve për shqyrtime, interpretime dhe vlerësime, ndërsa studiuesi i shkencave humane, i cili punon në mënyrë individuale dhe të pavarur dhe është përgjegjës vetëm ndaj vetvetes, është i lirë nga kufizimet e imponuara nga kushtet dhe specifikat e hulumtimeve kolektive.

Qëllimi[5] i këtij debati për intelektualët ka qenë që ta vë në spikamë faktin se, ndonëse sociologjia e ka rezervuar për vete të drejtën që të ofrojë ekspertizë për problemet shoqërore dhe kulturore (përmes specializimeve të ngushta, objektivitetit dhe hulumtimit ekipor), megjithatë angazhohet kundër tendencave që sociologët ta përvetësojnë në tërësi rolin e intelektualit. Puna e intelektualëve ka qenë gjithmonë që të debatojnë dhe vlerësojnë në mënyrë kritike rreth sfidave të njeriut modern ose, nëse mund ta përsëris, të diskutojnë mbi kulturën bashkë­kohore dhe të interpretojnë përvojën moderne. Kur sociologu pretendon se është ekspert për problemet e njeriut modern, ai duket se pandeh që, në të vërtetë, ai di më shumë për proble­met e njeriut bashkëkohor sesa intelektualët; dhe porsa të pra­nohet një qasje dhe një implikim i tillë në komunitetin e intelektualëve, atëherë kjo çështje bëhet e përbashkët. Fakti i një implikimi të tillë bëhet një argument shtesë për përvojën bashkëkohore të cilës intelektualët me shkathtësitë e tyre kritike mund t’i kushtojnë vëmendje të shtuar dhe me kënaqësi të madhe ngaqë implikimi duket që i cenon themelet e të drejtave të tyre për të pasur mendim të lirë si intelektual.

Madje[6] edhe ata intelektualë, të cilët kanë mirëkuptim për objektivat e sociologjisë, i nënçmojnë në mënyrë të konsideru­eshme për pasojat e përkushtimit të tyre ndaj shkencës. Ajo që i shquan kryesisht këta njerëz është se ata insistojnë të “merren me probleme të mëdha”. Ndonëse kjo qasje pa dyshim është qëllimmirë, zakonisht e nënvlerëson shkallën në të cilën normat e shkencës dhe përgjegjësia e fondacioneve dhe e instituteve hulumtuese universitare mund ta ketë për punën që e bëjnë sociologët. Këtu e kam fjalën thjesht për atë se sociologu është përgjegjës ndaj komunitetit të shkencëtarëve të shkencave shoqërore për vlerën shkencore të punës së tij dhe se institutet hulumtuese universitare janë të ndjeshme për financimin e hulumtimeve “paragjykuese” dhe “kontradiktore” (një gjë kjo që mund të ndodhë shumë më shpesh në rastet kur hulumtimet e tilla merren me “probleme të mëdha”). Dhe kur “problemet e mëdha trajtohen, fjala vjen, në librat si The American Soldier (Ushtari amerikan) dhe The Authoritarian Personality (Personaliteti autoritar) ose në vepra të tjera si The Lonely Crowd (Turma e vetmuar), White Collar (Kollarja e bardhë) dhe The Power Elite (Fuqia e elitës), atëherë pasojnë dhe vazhdojnë kontradiktat dhe polemikat. Mirëkuptimi i intelektualëve ndaj pretendimit të sociologëve për “t’u marrë me probleme të mëdha” mbësh­tetet, në të vërtetë, në qëndrimin e tyre se “ata duhet të kenë qasje më shumë humane dhe intelektuale sesa shkencore”. Ky implikim mbështetet nga receptimi me respekt (nëse jo edhe krejtësisht i favorizuar), që është bërë nga intelektualët për veprat e Resmanit dhe Millsit dhe nga qasja shumë kritike ndaj veprës The American Soldier (Ushtari amerikan), që me të drejtë mbështeten në fakte dhe metoda shkencore.

Ekziston[7] edhe një burim i rivalitetit dhe armiqësisë intele­ktuale ndaj sociologjisë që do të doja ta shqyrtoja, një burim i cili është parashikuar nga Veberi në ligjëratën e tij mbi shkencën si profesion. Kjo ndërkaq është e vërtetë që intelektualizimi dhe racionalizimi, në të cilat mbështetet shkenca dhe pjesë e të cilave është, ajo do të thotë që “në parim nuk ka forca misterioze në pakufi që çojnë peshë në shkencë dhe se në të vërtetë, në parim, mund të përvetësohen të gjitha gjërat përmes konkretizimit dhe kalkulimit”, ndaj jo vetëm që është e vërtetë, siç pohon Veberi, se “bota është kthjellur” por, po ashtu, është e vërtetë se shkencëtarët e shkencave shoqërore kundrohen si sfidues të asaj tradite të humanizmit dhe artit që e ka humbur mbështetjen për pikëpamjen se bota është magjepsur dhe se njeriu është misteri i mistereve. Për bartësit e kësaj tradite çdo vepër artistike dhe poetike përbën një dëshmi shtesë se bota është e magjepsur dhe se burimi i talentit njerëzor për krijimtari artistike dhe poetike është një mister që bëhet ende më misterioz pas çdo shqyrtimi. Fuqia e kësaj tradite s’duhet të nënçmohet ngaqë është e rrënjosur në mendimin e letërsisë moderne, me karakter antishkencor dhe besimit të tij në mungesën e bashkëpunimit të njeriut për të hequr dorë nga sekretet më të thella të gjeneralizimit të shkencës. Që nga thënia e Uordsvorthit se “të copëtosh do të thotë të vrasësh”, tek ajo e Mallarmes që thekson se “çfarëdo që është e shenjtë dhe çfarëdo që duhet të mbetet e shenjtë, lipset të mvishet me mister” dhe deri te mendimi i Kamingsit, se “misteret në vetvete janë sinjifikative”, kurse tradita ka mbetur e fuqishme. Fundja, sigurisht duhet ta ketë arritur apoteozën kur përpara një audience të Harvardit, Kamingsi e kishte bërë deklaratën në vijim:

Unë jam ndër ata të cilët thellësisht dhe me modesti besojnë se dashuria është misteri i mistereve dhe se asgjë e matshme nuk ka rëndësi, “djalli e marrtë”, ngaqë “një artist, një njeri, një dështim”, nuk është më tepër se një mekanizëm i rëndomtë, por një kompleksitet i përhershëm, as edhe një grabitqar i pashpirt dhe pa zemër dhe një kafshë e as edhe një krijesë që mendon dhe vepron në mënyrë mekanike dhe automatike, por një krijesë njerëzore e natyrshme dhe e mrekullueshme; një individ me ndjenja dhe aftësi të pakufishme; lumturia e vetme e të cilit është që ta transformojë dhe tejkalojë vetveten dhe qëllimi i vetëm i të cilit është që të zhvillohet dhe të përparojë. (E. E. Kamings, Gjashtë debate, Kembrixh, Harvard University Press, 1955, pp. 110-111).

Intelektualët e kësaj tradite duket se besojnë që realizimi i objektivave të shkencave shoqërore do të thotë patjetër se fuqitë kreative të njeriut do të “sqarohen”, se liria e tij do të mohohet, se “natyrshmëria dhe spontaniteti” i tij do të mekanizohen dhe se “mrekullia” e tij e krijoi formulën që do ta paraqesë mëndimin e Kamingsit se “individi që ndihet pafundësisht i lirë” është në të vërtetë një “produkt shoqëror” mjaft i limituar dhe i përcaktuar, misteri dhe transendeca e të cilit mund të formulohen brenda kornizave të një teorie sociologjike.[8] Atëherë, s’është çudi që një vizion kaq i frikshëm si ky në të njëjtën kohë mund të inkurajojë edhe qasje dhe bindje se shkenca mbi shoqërinë është e parealizueshme dhe e ligë.

(Marrë nga numri 12 i revistës “Akademia”. Përktheu nga anglishtja: Abdullah Karjagdiu)

[1] Koncepti i asaj se kush janë intelektualët është kryesisht veprimtari individuale e nivelit intelektual, i shqetësimeve dhe ekzistencës së dukurisë së nënkulturës. Por, kjo nuk na pengon që të mos të japim deklarata mbi botët kulturore si tërësi. Kështu, pavarësisht prej variacioneve të subkulturës, përgjigja në pyetjen se kush janë intelektualët, sipas gjasave, do të përfshinte këta autorë: Kamy, Sartri, Mallro dhe Buvuari në Francë; Elioti, Odeni, dhe grupi që e zhvillon veprimtarinë në kuadër të revistës Encounter në Angli; Sillone, Frazi, Moravia dhe Vitorini në Itali; dhe në ShBA shkrimtarët të cilët e zhvillojnë veprimtarinë e tyre dhe bashkëpunojnë me revistën Partisan Review, Comentary, revista tremuajshe letrare dhe “revistat e vogla”.

[2] Me botimin dhe receptimin e The Lonely Cloud, Dejvid Risman, vetë i emanc­ipuar në qarqet e komunitetit të intelektualëve, e mori si detyrën para intelektua­lëve për ta bërë identifikimin e një “sociologu” por, në të vërtetë ai u bë një intelektual i mirëfilltë.

[3] Unë jam i vetëdijshëm se ky pohim duket se aludon në institucionet konserva­tore, kurse pikëpamjet e intelektualëve i përdor sipas kritikës liberale ose radikale. Ky implikim nuk është i qëllimshëm.

[4] Pyetja se pse intelektualët janë dyndur në universitete në 10 vjetët e fundit është pyetje interesante. Unë kam vënë në dukje se veprimtaria e lirë, përmbushja e rolit të intelektualit dhe lëvizja drejt universiteteve e mohojnë këtë pretendim. Një nga hipotezat që më dukej jobindëse është se, si institucione që zhvillojnë veprimtari intelektuale me parime të mirëfillta, universitetet i rezistojnë me sukses presionit që mbizotëron në shoqëri. Një epokë në të cilën dominojnë sentimente radikale dhe rebele në mesin e intelektualëve, siç kishte ndodhur gjatë 40 viteve të para të shekullit të kaluar, universitetet mund të jenë dukur si burime të reagimit dhe mbrojtjes së status quo-së por, në atmosferën intelektuale të këtyre 10 vjetëve të fundit, universitetet duket të jenë fortesa (jo aq lehtë të ndikueshme) të mendimit të lirë kritik.

[5] Në mesin e intelektualëve mund të gjenden edhe njerëz të cilat me profesion janë vetë sociolog. Ky fakt e komplikon ende më shumë punën. Afër mendsh se profesioni i sociologut është human në vetë traditën e tij intelektuale dhe shquhet për interesime specifike përmbajtjesore dhe metoda të hulumtimit. Këta socio­logë shpeshherë e përfaqësojnë stereotipin e intelektualëve për “sociologun”, por në një formë ambivalente dhe indolente, ngaqë ka të bëjë me veçoritë e tyre prof­esionale dhe meqë janë refuzues të fuqishëm të saktësisë së këtij imazhi.

[6] Si libra “të mëdha”, të gjitha nga këto 5 kanë vlera, por çështja është se veprat e Resmanit dhe Millsit janë padyshim “intelektuale” ngaqë ato përdorin të dhëna për ta ilustruar dhe argumentuar një “tezë”. Ato janë qartazi komente dhe inter­pretime të përvojës bashkëkohore dhe, si të tilla, janë argumente për intelektualët. Është kjo ajo që i bën ata “interesantë” dhe atraktivë për revistat e spikatura per­iodike. The American Soldier dhe The Authoritarian Personality janë më pak “intere­sante” për intelektualët ngaqë ato merren kryesisht me raportimin e fakteve e jo me diagnostifikimin, stimulimin dhe shqyrtimin e tyre. Asgjë nuk mund ta shka­tërrojë një spekulim dhe pretendim më shumë sesa fakti.

[7] Max Weber, From Max Weber, Essays in Sociology (Ese mbi sociologjinë), Oxford University Press, 1954), f. 139 (ed. nga Gerth dhe Mills).

[8] Askund nuk është sqaruar më mirë sesa në armiqësinë e artistëve ndaj socio­logëve të dijes, artit, ose jetës intelektuale. Artistët refuzojnë që veprat e tyre të “interpretohen dhe shqyrtohen” në varësi nga ideologjia, shtresa shoqërore, rrethi, fryma e periudhës e të tjera, edhe atëherë kur sigurohen se ky interpretim dhe shkoqitje në asnjë mënyrë nuk e konteston “të vërtetën” apo “integritetin e veprës”, në mesin e artistëve deri-diku dominon mendimi se një interpretim dhe shestim sociologjik i burimeve të veprave të tyre e bën atë, në njëfarë mënyre, “të huaj”. Kjo, ma do mendja, është një nga pasojat e besimit se njeriu është një krijesë autentike sui generis.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
NELSON ALGREN Na ishte njëherë një shtëpi kurvash në pjesën…