Sonte gjysmëfinalja Argjentinë – Kroaci

13 dhjetor 2022 | 08:00

Kroacia ka eliminuar nga Kupa e Botës një kombëtare gjigante nga Amerika e Jugut, Brazilin. Tash kroatët synojnë ta bëjnë të njëjtën gjë edhe me Argjentinën që përballet sonte (e martë) në kuadër të gjysmëfinales në stadiumin “Lusail Iconic” dhe në këtë mënyrë të kualifikohet në finale për herë të dytë radhazi.

Ylli i Kroacisë, Luka Modriq, në prag të gjysmëfinales, ka thënë se është bukur të jesh sërish në këtë fazë, por e ka pranuar se Argjentina është një skuadër e fortë dhe Leo Messi i vështirë për t’u mbuluar. Mesfushori i Real Madridit e ka quajtur këtë ndeshje si të jetës për kombëtaren kroate.

“Është shumë bukur të jesh sërish në gjysmëfinale. Mendojmë ta japim më të mirën. Do ta japim maksimumin. Kjo është forca jonë. Argjentina është një skuadër e madhe, por ne do të mundohemi që të luajmë ndeshjen më të mirë të turneut dhe të jetës sonë. Shpresoj të jetë e mjaftueshme për të shkuar në finale. Kam shumë dëshirë që të luaj, por nuk është e thjeshtë të luash ndaj një lojtari si Messi. Do të kemi probleme të mëdha për ta markuar, por jemi gati për të dhënë më të mirën”, ka thënë Modriq.

Në çerekfinale, Kroacia, e drejtuar nga Zlatko Daliq, e ka eliminuar në penallti Brazilin, pasi koha e rregullt dhe vazhdimet përfunduan me rezultat 1-1. Në anën tjetër edhe Argjentina e mposhti Holandën pas penalltive, pasi koha e rregullt përfundoi me rezultat 2-2.

Formacionet e mundshme:

Argjentina: E.Martinez; Molina, Romero, Otamendi, Tagliafico; Fernandez, De Paul, Mac Allister; Di Maria, Messi, Alvarez.

Kroacia: Livakoviq; Juranoviq, Gvardiol, Lovren, Sosa; Modriq, Brozoviq, Kovaqiq; Pasaliq, Kramariq, Perisiq.

 

/Epoka e re/ 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e Kosovës do ta mbajë mbledhjen e radhës. Kjo…