Sot mbahet samiti i Bërdos, Kosova përfaqësohet nga presidentja Osmani

12 shtator 2022 | 08:18

Sot në Kranjë të Sllovenisë mbahet samiti i njëmbëdhjetë i liderëve të Procesit Bërdo-Brijuni.

Presidenti slloven Borut Pahor do t’i presë sot  liderët e vendeve të Evropës Juglindore në samitin që ka për qëllim zhvillimin politik dhe të përgjithshëm në Evropën Juglindore.

Kosova në këtë Samit përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.

“Temat të cilat do të diskutohen në këtë takim përfshijnë perspektivën e integrimit evropian për vendet aspiruese të Ballkanin Perëndimor, të cilat i përmbushin kushtet për integrim dhe të cilat i bashërendojnë politikat me ato të Bashkimit Evropian, tejkalimin e sfidave të përbashkëta si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, përfshirë krizën energjetike dhe sigurinë ushqimore; si dhe përkushtimin për demokraci, paqe dhe dialog”, thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës.

Presidentja Osmani do t’i paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës lidhur me temat që do të trajtohen në këtë proces, përfshirë thirrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të vendit tonë, raporton “Epoka e re”.

Takimi i Procesit Bërdo-Brione do të mbahet në Bërdo afër Kranjit në Slloveni nën udhëheqjen e presidentit të Sllovenisë Borut Pahor dhe presidentit të Kroacisë, Zoran Milanović.

Ky samit kontribuon në procesin e zgjerimit, në të njëjtën kohë trajton disa çështje delikate të politikave globale dhe rajonale.

Sipas presidencës sllovene, sivjet ky Samit do të jetë një mundësi për ta vlerësuar situatën aktuale në rajon dhe mbi të gjitha për t’u bërë thirrje anëtarëve dhe institucioneve të Bashkimit Evropian që ta përshpejtojnë procesin e zgjerimit.

Kjo nismë, e quajtur Procesi i Bërdo-Brijuni, u formua në vitin 2010 nga kryeministri i atëhershëm slloven Borut Pahor dhe nga ai kroat Jadranka Kosor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesia e kuvendit sot do të mbajë mbledhjen e parë…