Sot nis fushata zgjedhore, LDK dhe AAK deklarohen për pesë ditë fushatë, LV dhe PDK pa qëndrim zyrtar

16 shtator 2021 | 09:23

Sot ka nisur zyrtarisht periudha e fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, ku me kalendarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve fushata zgjedhore fillon më 16 shtator dhe përfundon më 15 tetor.

Ani se vendi po përballet me pandeminë e koronavirusit, kjo fushatë është paraparë të zgjas 30 ditë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditë më parë certifikoi listën përfundimtare të votuesve.

Më 17 tetor të drejtë vote do të kenë rreth 1 milion e 885 mijë qytetarë, derisa 24 mijë votues do të jenë të rinj për dallim nga zgjedhjet e fundit të parakohshme.

Gjithashtu, në listën zyrtare të votuesve, janë përfshirë edhe 90 mijë votues që në zgjedhjet e fundit votuan jashtë vendit.

Për shkak të situatës me pandeminë disa nga partitë politike janë shprehur për shkurtimin e periudhës së fushatës.

Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ditë më parë u kishte dërguar një letër kryetarëve të partive parlamentare, ku për shkak të situatës me pandeminë kishte propozuar fushata të reduktohet në 10 ditë, ndërkaq dy ditë më parë tha se fushata e LDK-së do të jetë pesë ditë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi kishte thënë se shkurtimi i fushatës zgjedhore duhet të trajtohet dhe të merret vendim.

Ndërkaq, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kishte thënë se fushata zgjedhore duhet të shkurtohet edhe më shumë, vetëm në pesë ditë.

Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kishte deklaruar se si parti politike janë shprehur se fushata zgjedhore mund të mbahet në vetëm pak ditë apo edhe në anulim të gjithë fushatës.

Megjithatë, Vetëvendosje dhe PDK ndonëse në parim janë shprehur për shkurtimin e fushatës nuk kanë njoftuar zyrtarisht nëse do të mbajnë fushatë për 30 ditë, apo do ta shkurtojnë atë për shkak të situatës me pandeminë. 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kina nisi një reagim urgjent të enjten pasi një tërmet…