Sot shpallet aktgjykimi ndaj Krivaqës dhe Sejdiut

04 gusht 2023 | 09:13

Gjykata Themelore në Ferizaj sot, do të mbajë seancën e shpalljes së aktgjykimit ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit.

Sipas njoftimit, seanca do të mbahet në ora 11:00 dhe do të jetë e hapur për publikun.

Para se të fillojë seanca gjyqësore, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist do të mbajë një protestë, për drejtësi për Marigona Osmanin dhe ‘ndëshkim maksimal për vrasësit e saj’.

Protesta do të zhvillohet nga ora 10:30, para objektit të Gjykatës së Ferizajt.

“Dhuna mizore të cilën e ushtroi Krivaqa me ndihmën e Sejdiut ndaj Marigonës deri kur e vrau dhe humbja e saj na e bën të pamundur të harrojmë. Ne nuk mund të harrojmë që Marigona do të mund të ishte gjallë sot nëse shteti do ta mbronte me kohë atë. Të indinjuar/a e me shumë dhimbje, ne mblidhemi këtë të premte dhe thërrasim në drejtësi për Marigonën”, thuhet në njoftimin e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist.

Përndryshe në seancën e fundit, Krivaqa shprehu keqardhjen për atë që ka ndodhur duke pohuar se do të donte ta kthente kohën pas.

Në anën tjetër, familja e viktimës ka kërkuar burg të përjetshëm për të akuzuarit.

Sipas aktakuzës, më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e Krivaqa ai dhe Sejdiu e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën ai ishte në bashkësi jashtëmartesore.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani "… Sot jemi mbledhur ne të deleguarit e…