SPSPK-ja kërkon nga qeveria të caktojë pagën minimale për sektorin privat

03 shkurt 2023 | 12:51

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovë (SPSPK) në një konferencë për medie ka shprehur pakënaqësi për trajtimin e sektorit privat nga ana e Qeverisë së Kosovës.

Jusuf Azemi, kryetar i kësaj sindikate, ka kritikuar qeverinë Kurti se po “sillet sikur inflacioni po i prek vetëm punëtorët e sektorit publik”.

Ai ka kërkuar që të ndihmohet edhe sektori privat, pasi sipas tij buxheti i Kosovës u takon të gjithëve punëtorëve, e jo vetëm atyre të sektorit publik.

“Në zyrën e kryeministrit të Kosovës, punëtorët që mirëmbajnë këtë zyre paguhen 180 euro. Kjo është shumë shqetësuese për ne. Këto paga të ulëta vijnë nga Qeveria e Kosovës. Në vend që qeveria ta motivojë sektorin privat për paga më të larta, është ajo që i paguan kaq pak punëtorët teknikë. Qeveria po sillet sikur inflacioni po i prek vetëm punëtorët e sektorit publik, e jo ata të sektorit privat. Buxheti i Kosovës është buxhet i të gjithëve. Klasa më e pasur, ajo e sektorit publik u financua, e pikërisht ajo që është më e varfër jo”, ka thënë Azemi.

Më tutje, Azemi ka thënë e kërkesa e sindikatës që drejton është rritja e pagës minimale në 450 euro. “Kërkesa jonë është që paga minimale të jetë 450 euro. E kemi një pagë minimale që ne mendojmë që duhet të zyrtarizohet nga qeveria. Kanë premtuar, por nuk e kanë realizuar. Kërkesë imediate e jona është që të gjithë punëtorët të paguhen komfort Ligjit të pagave. Ne nuk heqim dorë, ne jemi të Kosovës dhe i shërbejmë shtetit të Kosovës”, është shprehur Azemi.

Në këtë kontekst, Azemi ka përmendur edhe rastet e shumta të ikjes së punëtorëve nga Kosova.

“92 mijë punëtorë kanë ikur nga Kosova me leje pune. Gjatë këtij viti shumë projekte do të ndërkrehen në mungesë të punëtorëve”, ka deklaruar Azemi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Albin Kurti sa ishte në opozitë sulmonte pushtetet e atëhershme…