Sqarim i gazetës “Epoka e re” në përgjigjen për taksën 100 për qind që ka dhënë Bekim Jashari

16 shkurt 2019 | 10:52

Gazeta “Epoka e re” ka realizuar një intervistë me kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, e cila është botuar në numrin e sotëm me këtë titull: “Spektri politik duhet të unifikohet për temat e mëdha”, që është realizuar për nder të 11-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, dhe në këtë intervistë Jashari ka dhënë përgjigje edhe për vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë.

“Epoka e re” e boton të plotë përgjigjen e kryetarit Jashari për këtë çështje, për faktin se titulli që është pasqyruar mbrëmë në disa portale se: “Bekim Jashari kërkon të pezullohet taksa 100 për qind” është nxjerrë nga paralajmërimi i intervistës nga “Epoka e re” në lidhje me temën e taksës, që përgjigja e Jasharit në këtë paralajmërim nuk është pasqyruar e plotë, ku ai jep arsyen e tij për taksën.

Kjo është përgjigja e Bekim Jasharit për taksën:

“Epoka e re”: Z. Jashari, Republika e Kosovës tani gjendet në një presion të vazhdueshëm nga ShBA-ja për heqjen e taksës për produktet serbe, për t’i dhënë mundësi vazhdimit të dialogut. Sipas jush, si duhet të veprojë Qeveria e Kosovës në këtë rast?

Jashari: Mendoj se jemi në një pozicion të vështirë. Në njërën anë duhet që Serbisë herë pas herë t’i tregohet se, megjithatë, edhe Kosova ka mundësi ta godasë ekonominë e saj, siç është rasti i taksës, apo bojkotimi total i prodhimeve të saj, ndërsa në anën tjetër gjendemi përballë kërkesave të vazhdueshme të ShBA-së, si një nga kontributdhënëset më të mëdha të lirisë dhe pavarësisë sonë, për heqje të taksës. Megjithatë, mendoj se Qeveria do të duhej t’i merrte në konsideratë kërkesat që vijnë nga partnerët tanë, sepse nuk do të guxoja të mendoja se ShBA-ja na do të keqën. Besoj se pezullimi i taksës për një kohë të caktuar, që do të pasonte kritere të qarta për vazhdim të dialogut nga pala jonë për palën serbe, do të ishte një veprim i qëlluar, për ta tejkaluar këtë situatë në të cilën ndodhemi si shtet. Ky është vetëm mendimi im.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prishtina është qyteti i parë në të cilin është vendosur…