Stano thotë se nuk u punua shumë për marrëveshjet në dialog, përmend Banjskën dhe Radoiçiqin

11 mars 2024 | 16:30

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE), Peter Stano, ka thënë se nuk është punuar shumë për zbatimin e marrëveshjes në dialogun Kosovë-Serbi.

Në konferencën e mbajtur këtë të hënë, ai ka thënë se kjo po ndodh për shkak të qëndrimeve të të dyja shteteve.

“Unë mund të them vetëm një gjë. Fatkeqësisht nuk është punuar shumë për zbatimin për shkak të qëndrimeve të palëve. Prioriteti ynë është që të fillohet zbatimi në mënyrën më të mirë, prioriteti më urgjent është të sigurohemi që zbatimi të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur. E kemi thënë disa herë se procesi i përgatitjes së dialogut në hapa individual dhe në faza individuale është diçka që supozohet të trajtohet pikërisht në procesin e punës dhe në nivelin e punës dhe jo të zhvillohet e të komentohet çdo ditë në publik”, ka thënë ai.

Gjatë kësaj konference, Stano është pyetur edhe lidhur me takimin e ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriq në një restorant me Milan Radoiçiq, njeriu që qëndron prapa sulmit në Banjksë.

Stano ka thënë se nuk i takon BE-së të flasë rreth çdo takimi të anëtarëve të administratës serbe.

“Nuk i komentojmë të gjitha takimet që anëtarët e administratës serbe kanë me njerëz të ndryshëm. Por kur je duke aluduar në Banjskë, qëndrimi i Bashkimit Evropian  mbetet i njëjtë, ne jemi duke e pritur raportin final zyrtar nga hetimi. Deri më tani nuk kemi parë një raport të tillë këtu në Bruksel”, u shpreh Stano.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti i Real Madrid, Brahim Diaz, i ka dhënë fund…