Strategjia e sigurisë

02 qershor 15:52

Shkruan: Arben Dashevci

Kur dikush na ruan, ndjehemi të sigurtë, ata gjithmonë qëndrojnë në sfond, na shikojnë dhe na ruajnë nga rreziqet që na kanosen si shtet, kurse ne nuk e dimë.

Ata na ruajnë prej çdo rreziku para se te ndodhë, sepse kjo është puna e tyre.

Kur të vie rreziku ata veç se janë të gatshëm, kanë informacionin dhe kush ka informacionin ka situatën në dorë.

Prandaj ne duhet të jemi 24/7 falënderues, shteti  është sikurse drita e syve, ashtu duhet të ruhet, duhet respektuar dhe duhet sakrifikuar për te.

Nuk pyetet as pse dhe as si por thjeshtë duhet respektuar.

Për të qenë të sigurtë dhe të përgatitur kërkohet Strategji, kur ke strategji ke vizion, pa strategji je në një rrugë qorre sepse vepron AD HOC dhe sillesh rreth boshtit tënd.

Strategjia kërkon veprimin e vet në praktik, kërkon koordinim të detajuar, analizë të shtjelluar mire, bashkëpunim të mirëfilltë në mes të institucioneve të sigurisë dhe suksesi është 100%.

Ҫka është Strategjia.

Për të mos ardhur deri te krizat në funksionimin e rendit juridik dhe për të operacionalizuar me sukses politikën e sigurisë nevojitet strategjia.

Kuptimi semantik i fjalës strategji rrjedh nga fjala greke stratus-ushtri dhe fjala ago-udhëheq. Nocioni i përmendur pranohet dhe shfrytëzohet në të gjitha hapësirat gjuhësore.

Strategjia është ajo që përcakton zgjedhjen e metodave dhe të mjeteve për realizimin e objektivave të politikës së sigurisë.

Strategjia përfshin interaksionin e nevojshëm të teorisë dhe praktikës, të dijes dhe shkathtësisë, në mënyrë që me një koordinim në të gjitha nivelet dhe me aplikimin e metodave dhe mjeteve përkatëse të realizohen objektivat e planifikuara në rrafshin politik.

Këto objektiva politike nuk mund të arrihen pa politikë përkatëse të sigurisë dhe pa strategji të cilën janë të obliguar të zbatojnë organet dhe institucionet e shtetit që janë krijuar për këtë qëllim.

Ҫdo strategji duhet të mbështetet në dijen dhe mundësinë e operacionalizimit të saj, ashtu që organet dhe shërbimet e sigurimit të veprojnë në kuadrin e të drejtave legjitime që burojnë nga kushtetuta dhe ligji, duke përfshirë edhe të drejtën e përdorimit të forcës.

Meqenëse strategjia globale në nivel të shtetit vështrohet si strategji nacionale , gjithnjë e më shumë po përdoret termi “strategji nacionale e sigurisë”, e cila duhet të mbulojë të gjitha fushat e veprimit me një serë nën strategjish që hartohen nga segmente të ndryshme të punës dhe veprimit të subjekteve të sistemit të sigurisë.

Pra, objektiv i politikës së sigurisë është që në bazë të njohurive shkencore e profesionale dhe operative  të sigurohen korniza reale dhe sa më objektive për reagim me kohë, efikas dhe autoritativ, të subjekteve përkatëse, si edhe që me operacionalizimin e strategjisë të koordinojnë dhe orientojnë organet dhe institucionet e perënduara për të marrë vendimet e domosdoshme për veprim praktik, duke respektuar standardet themelore ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat dhe lirinë e njeriut.

Strategjia është ajo që përcakton objektivat e dëshiruara në fushën e sigurisë.

Por, objektivat e perënduara, pra eliminimi i rreziqeve të sigurisë në hapësira të ndryshme, mund të arrihen vetëm me një strategji të menduar mirë.

Vetëm ajo strategji që është efikase, e orientuar mirë, e vendosur drejt, praktike, e ligjshme gjatë zgjedhjes së metodave dhe mjeteve, e përcaktuar qartë në kohë e hapësirë dhe e orientuar në baza shkencore e profesionale dhe në bazë të përvojave, mund të operacionalizohet me sukses në nivel të shteteve nacionale.

Strategjia përcakton drejtimet, metodat, mjetet, kohën, hapësirën, dhe kushtet dhe mundësitë e veprimit në varësi të kompleksitetit të problemeve të sigurisë.

Faktorët Determinues

Çdo situatë kërkon qasje të veçantë dhe veprim konkret.

Për t’u orientuar në mënyrë operative-racionale dhe ligjore-profesioanle të gjitha aktivitetet e nevojshme që duhet të rezultojnë me arritjen e objektivave të caktuara, një prej faktorëve kryesorë është shqyrtimi përmbajtësorë e sistemor dhe respektimi i elementeve qenësore që e përbëjnë vlerësimin e sigurisë si edhe vlerësimin e rrezikshmërisë me një prognozë të menduar mirë.

Për operativitet janë të rëndësishme: shpejtësia, saktësia dhe efikasiteti në kryerjen e detyrave konkrete.

Në praktikën operative duhet të definohet qartë qëndrimi se nga shpejtësia dhe saktësia e veprimtarisë operative varet kryerja e detyrave konkrete dhe arritja e objektivave të përcaktuara në bazë të hulumtimeve paraprake operative, gjendjes, lëvizjeve dhe parashikimeve në fushën e sigurisë.

Qasja e re organizative dhe strategjiko-operative nënkupton reagimin efikas, të shpejtë dhe të matur në situate të ndërlikuara dhe demonstrimin e nivelit të lartë të invencionit, aftësisë për zgjedhjen e problemeve të pranishme dhe vlerësimit efikas të situatës së sigurisë.

Të gjitha proceset pozitivë që zhvillohen në planin organizativ, shkencor, profesional, operativ, teknik, informative, arsimor, komunikues etj, duhet të kuptohen si nevojë për krijimin e koncepteve optimal dhe orientimeve të sigurisë.

Pra, vetëm në bazë të shqyrtimeve dhe trajtimeve kritike të vlerave të reja demokratike të strukturave të sigurisë duhet të aplikohen metodat dhe mjetet më bashkëkohore me qëllim të mbrojtje maksimale të sigurisë së shoqërisë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të mërkurën është ngritur për herë të parë flamuri i…