Suedia, mbi 4 000 viktima nga Covid-19

26 maj 2020 | 10:19

Suedia, e cila ka luftuar ndaj pandemisë koronavirus me një qasje më të butë sesa vendet e tjera, njoftoi se mbi 4 000 njerëz kanë vdekur në vend, 90 për qind e të cilëve janë mbi 70 vjeç.

Nga 33 843 raste të konfirmuara të infeksionit, Agjencia e Shëndetit Publik regjistroi 4 029 vdekje në vend me një popullsi prej 10.3 milionësh. Sipas ueb faqes Worldometer, shkalla e vdekshmërisë së lidhur me koronavirusin është 399 për një milion njerëz në Suedi, një normë dukshëm më e lartë sesa në vendet fqinje që kanë marrë masa për ta kufizuar lëvizjen (Norvegjia 43, Danimarka 97 dhe Finlanda 56).

Por niveli i vdekjeve në Suedi është më i ulët se ai i regjistruar në Spanjë (615), Britani të Madhe (542) dhe Francë (435). Për dallim nga masat e rrepta të paraqitura në Evropë, në Suedi kufizimet në lëvizje nuk ishin kurrë në fuqi dhe shkollat për fëmijë nën 16 vjeç ishin të hapura gjatë gjithë kohës dhe të gjithëve u kërkohej ta zbatojnë distancën fizike dhe të tregohen të përgjegjshëm.

Agjencia e Shëndetit Publik beson se qasja suedeze është më e mirë në planin afatgjatë dhe hedh poshtë masat e marra diku tjetër në një afat të shkurtër pasi i konsideron joefektive në lidhje me ndikimin që kanë ato në shoqëri në tërësi. / Top Channel

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vendet si Britania kanë vendosur masën e karantinimit me detyrim…