Sulmet ndaj shoqërisë civile, Cakolli: Po bëhen nga eksponentë të VV-së
Eugen Cakoll nga KDI, ka reaguar lidhur me sulmet ndaj Shoqërisë Civile, duke thënë se ato po bëhen nga eksponentë të VV-së dhe se të njëjtat nuk janë të papritura.
Cakolli ka shtuar edhe se, pushteti e kthen debatin në fushatë linçimi kur e ndjen veten të dobët përballë argumenteve.
Ai po ashtu ka thënë se akuzat ndaj shoqërisë civile si “mbrojtëse e Serbisë dhe kriminelëve të tyre” janë thjesht demagogji dhe patriotizëm i rremë.
Postimi i plotë i tij në Facebook:
Sulmet e eksponentëve të LVV-së dhe falangave të tyre digjitale ndaj shoqërisë civile nuk janë të papritura. Çdo pushtet që e ndjen veten të dobët përballë argumenteve, e kthen debatin në fushatë linçimi.
Akuzat ndaj shoqërisë civile si “mbrojtëse e Serbisë dhe kriminelëve të tyre” janë thjesht demagogji dhe patriotizëm i rremë.
Ironia është se shoqëria civile përbëhet nga organizata dhe aktivistë që figurat kryesore të LVV-së deri dje i lartësonin dhe citonin publikisht, e madje i ftonin në lista zgjedhore si front i përbashkët politik.
Këto sulme me gjasë do të vazhdojnë. Jo pse shoqëria civile ka ndryshuar kurs, por sepse për shumë prej tyre – sidomos këta të “zëshmit” – mbajtja gjallë e temave që disi ndërlidhen me Serbinë është oksigjeni i vetëm politik që u ka mbetur.
E po ua hoqe këtë kartë, për çfarë “suksesi” tjetër do t’i njihte publiku?



