SVA, filmat si të Goebbels nuk janë art

15 tetor 2019 | 18:01

Më 4 tetor, 2019, Instituti prestigjioz i Arteve në Nju Jork – Schoolof Visual Arts shërbeu si platformë në shpërndarjen e propagandës serbe duke shfaqur filmin The Weightof Chains 3 – Pesha e zinxhirëve 3. Ky film i drejtuar nga Boris Malagurski prezantohet si një analizë e krimeve ndaj ambientit, ndër të tjera. Në fakt, është propagandë serbe që mohon spastrimet etnike dhe krimet kundër njerëzimitqë serbët bënë mbi shqiptarët, kroatët dhe boshnjakët. Pesha e zinxhirëve 3 është e ngjashme me Jozef Goebel dhe Ministrinë e Propagandës në Gjermaninë Naziste. Ky film nuk është art. Nuk është për ndotjen e ambientit. Është për shtrembërimin e imazheve dhe gjuhës në mënyrë që të rishkruhet historia dhe të mohohen krimet e kryera mbi njëzet vite më vonë.

SVA nuk bënë të shërbejë si vend fertil për filma si ky që nënçmojnëkujtimet e qindra-mijëra viktimave të pafajshme. Unë jam një 34-vjeçar që jetoj e punoj në zonën e Nju Jorkut. Jam i diplomuar me Master në marrëdhënie ndërkombëtare nga NewSchool. Kam qenë refugjat në moshën 14-vjeçare. Akoma dridhem kur flas për luftën e viteve të 90’-ta. Kjo nuk ndodh kur flas në mënyrë sipërfaqësore duke përshkruar përjetimet me terma akademikë si spastrim etnik, gjenocid, etj. Kjo ndodh më shumë kur flas me njerëz nga familja ime dhe persona tjerë që kanë mbijetuar luftën.

Më 30 mars, 1999 në Prishtinë, Kosovë e ri-jetova ngjarjen e “Kindertransport”. Deri atë ditë përjetuam çka dukej si një ankth i pafund. Kishim parë familje që zhdukeshin, fëmijë, pleq e gra të masakruar çdo ditë në zonat periferike. Protesta paqësore në kryeqytet mbaronin dhunshëm me rrahje, arrestime e zhdukje. Asnjë 14-vjeçar nuk duhet të shoh trupa të vdekur në rrugë. Asnjë njeri nuk meriton të bëhet refugjat. Ata që kryejnë krime kundër njerëzimit nuk duhet të diktojnë historinë sipas termave të tyre. Prezantimi i propagandave vetëm sa rrit mos-respektin ndaj jetës së njeriut. Asnjë fjalë nuk e përshkruan mbijetesën nga lufta më mirë sesa Roosevelt kur thoshte, “E kam parë luftën, e urrej luftën”.

Më 30 mars, çdo gjë bëhej për mbijetesë. Me javë familja ime ikte nga një pjesë e qytetit në tjetrën. Njerëzit flisnin se cila lagje do të sulmohet në vijim. Në fund, atë ditë forcat serbe goditën derën tonë duke bërtitur e kërcënuar nëserbisht. Ata ishin armatosur deri në dhëmb. Rrugët ishin stërmbushur me shqiptarë të rrethuar nga autoblindat ushtarake. Të rreshtuar, të gjithë drejtoheshim drejt stadiumit. Të gjithë mendonin se ai ishte destinacioni ku do të na vrisnin në mënyrë masive. Turma në këtë rast vazhdoi të drejtohej përpjetë deri te stacioni i trenit. Ndryshe nga grupet e tjera që po vriteshin e përdhunoheshin, plani për neve ishte spastrimi etnik. E kaluam natën në stacionin e trenit, jashtë, të rrethuar nga forcat serbe. Është ajo natë me qiell të pastër që akoma më frikëson më së shumti. Përballë ishin ushtarët të armatosur deri në dhëmb. Prapa ishin mijëra njerëz përfshirë familjen time. Më kujtohet nëna që më tërhiqte afër të shërbejë si mbrojtje nëse ushtarët vendosnin të gjuanin.

Më kujtohet që dridhesha shumë, sepse frika më kishte kapluar trupin. Përderisa dridhesha, nëna dhe kushërira më mbanin afër për tëmë qetësuar. Nuk mund të ndaloja së dridhuri. Nuk e di edhe sa zgjati, por ajo është ndjenja e cila më rishfaqet kur më kujtohet ai moment. Kjo ishte vetëm një natë. Shumë raste tjera ndodhën gjatë kësaj kohe që dua t’i ndaj në një moment tjetër. Ne vazhduam të ecnim me orë të tëra drejt kufirit me Shqipërinë. Jeta në kampet e refugjatëve, skena dëshpërimi, pa shpresë, lot… Me shfaqjen Pesha e zinxhirëve 3 SVA ka dëshpëruar shumë qytetarë. Kjo shfaqje nuk ishte promovim i artit apo pikëpamje në një formë tjetër; ishte thjesht promovim i gënjeshtrave. Ushtria serbe vrau më shumë se njëzetmijë persona gjatë kësaj periudhe. Me mijëra u dhunuan, disa bënë vetëvrasje dhe plotë të tjerë akoma vuajnë nga traumat e luftës. Çdo gjë u shkatërrua nga dora e regjimit serb, përfshirë xhamitë, kishat katolike, qendrat kulturore, libraritë, etj. Shumëshqiptaro-amerikan si unë, kanë vuajtur nga ngjarje të ngjashme ose edhe më të këqija dhe nuk mund të tolerojnë këtë shtrembërim të historisë.

Të jemi të qartë, para bombardimeve të NATO-s që kritikon autori i filmit, diplomacia amerikane i dha mundësi qasjes paqësore. Autonomia e Kosovës u suprimua dhunshëm nga Serbia në vitin 1989, dhe Millosheviqi nuk ishte asnjëherë i interesuar ta rikthente atë. Strategjia e dhunshme shkon përtej Millosheviqit dhe ka rrënjë në elitën politike duke përfshirë Akademinë Serbe të Shkencave dhe Arteve. Në njërën prej rasteve anëtari i organizatës së respektuar, Batakoviq, shkruante: “Mentaliteti hajdut i shqiptarëve etnikë (duke marrë parasysh fuqinë e tyre marramendëse për riprodhim) është kthyer në rrezik për mbijetesën biologjike të kombit serb në Kosovë e Metohi”. Punime si kjo e bëjnë të qartë se Millosheviqi ishte një vegël më shumë sesa planifikues i krimeve më të rënda në Evropë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Historiania serbe Latinka Petroviq përmend se presidenti i atëhershëm i Akademisë Serbe Antonije Isakoviq kishte deklaruar se Serbia ishte e gatshme të zgjidhte problemin e kombit serb në mesin e krizës jugosllave: a) nuk do të bëhej në territorin serb, b) do të kushtonte rreth 86,000 jetë (haptas shumica joserbë mbasi kjo luftë do tëbëhej jashtë kufirit serb.) Në nivelin personal, më irriton SVA që ka ra në këtë grackë që shkon në kundërshtim me principet e saj. Vëllai im ka mbaruar studimet në SVA. Tregimi i tij nuk është aspak më i lehtë sesa i imi. Ai u detyrua të ikte nga Kosova në vitin 1992 që të mos bëhet pjesë e Ushtrisë Jugosllave pasi serbët i merrnin të rinjtë shqiptarë pa dëshirën e tyre për të ushtruar dhunë mbi kroatët e boshnjakët. Të rekrutuar pa vullnet, shqiptarët e rinj shpesh zhdukeshin dhe vriteshin me zero transparencë apo qartësi. Rinia e Kosovës u detyrua ta lëshonte vendlindjen dhe iknin në vende të panjohura.

Vëllai im u detyrua të mbijetojë i vetëm si adoleshent, dhe t’i ndihmojë familjes në çdo mënyrë të mundshme. Si një skulptor në Nju Jork, dhe i diplomuar nga SVA, ai jeton jetën i fokusuar në krijim dhe ndërtim. Amerika është një vend ku njeriu skulpturon ëndrrat dhe kthen ato në realitet. Arti është përdorimi i imagjinatës për të bërë realitet diçka të paimagjinueshme dhe mbresëlënëse. Në NewSchool, jam trajnuar nga profesorët që të mendoj në mënyrë kritike, të jem qytetar aktiv, dhe të luftoj për të drejtën. Liria e shprehjes nuk ka çmim për t’u mbrojtur. Arti është vlerë. Arti duhet të jetë provokues dhe të shtyjë ndryshim. E presim një gjë të tillë nga SVA, NewSchool dhe të gjitha institucionet tjera. Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve kishte një emër të madh, por nuk prodhonte art pasi filloi t’i ndryshonte faktet për nevoja politike. Në të kundërtën, ajo u shndërrua në promovues të dhunës.

Shqiptarët e Kosovës kanë dhënë jetën në mbrojtje të lirisë. Ne vazhdojmë t’i ndjekim ëndrrat tona. Nuk jemi pa zë as pa fytyrë. Askush nuk mund të na i përshkruajë përjetimet tona, përveç neve. Ne besojmë që SVA është katalizator i inovacionit dhe mirëqenies shoqërore, dhe reprezentues i një prej komuniteteve më influenciale të artit. Për këtë arsye, SVA duhet që absolutisht të distancohet nga propagandat e ngjashme me Goebel, të paketuara si art.

Faleminderit, Ard Morina
Kopja e artikullit origjinal është botuar në revistën www.Hoctok.com

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
16.10.2019 Punime të domosdoshme për sigurinë e sistemit Prishtinë 1.…