Sveçla për situatën në veri: Kemi rritur vigjilencën dhe jemi në koordinim me aleatët ndërkombëtarë

31 maj 2023 | 23:01

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Beogradi po vijon me tendencat për destabilizimin e vendit.

Ai ka thënë se sulmet e ditëve të fundit, janë organizuar nga grupet kriminale të orkestruara nga Beogradi.

Ka shtuar se ata kanë sulmuar zyrtarë të policisë, pjesëtarë të KFOR-it, gazetarë, si dhe kanë dëmtuar dhe djegur vetura zyrtare e ato të mediumeve të ndryshme.

Ai ka thënë se sot janë arrestuar në Jarinje dy shtetas të Serbisë që po bartnin pajisje ilegale për trazira.

“Për më tepër, kanë përhapur mesazhe të rrezikshme përmes mbishkrimeve me simbolet e së kaluarës gjenocidale të Serbisë e të së tashmes agresore të Rusisë, e duke provokuar me flamuj serb në automjete të Policisë. Të gjitha këto elemente, janë vazhdimësi e veprimeve kriminale të këtyre bandave, që kanë ndodhur që nga paslufta në veri të Kosovës me qëllim që të destabilizojnë vendin tonë. Kur të gjitha qytetet e Kosovës e kanë përjetuar lirinë, komunat tona veriore kanë qenë të pushtuara nga bandat kriminale. Fatkeqësisht, 24 vite pas përfundimit të luftës dhe rënies së Millosheviqit ne ballafaqohemi akoma me politikat e tij. Vuçiq në të kaluarën ka qenë inistër i tij për propagandë, Ivica Daçiq ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Millosheviqit ndërsa Aleksandër Vulin ka qenë bashkëpunëtori më i afërt i gruas së tij, Mira Markoviq”, ka thënë ai.

Ka shtuar se këta drejtues politikash “autokratike dhe të dhunës”, vijojnë ta kenë të njëjtën qasje.

Sveçla ka thënë se nga sulmet e fundit, pjesëtarët e KFOR-it janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri ndërsa sipas tij, janë bërë thirrje nga turmat e protestuesve edhe për vrasje të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Sipas tij, këto veprime kriminale janë të papranueshme dhe të gjithë kryesit e këtyre akteve do të ballafaqohen me drejtësi.

“Ndaj dy kriminelëve që kanë sulmuar të hënën pjesëtarët e KFOR-it, sot është shqiptuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh ndërsa gjatë ditës po ashtu janë arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinje dy shtetas të Serbisë që po bartnin pajisje ilegale për trazira. Njëri nga ta, ish-luftëtar në Koshare dhe i dekoruar nga Sllobodan Millosheviq, i dyshuar edhe si pjesëtar i ‘Brigada 72’, formacion ushtarak serb i cili shërben për operacione të veçanta me qëllim të destabilizimit të vendeve. Ai është përcjellë drejt pikës sonë kufitare nga deputeti nacionalist e ruso-fil i të djathtës ekstreme, Strahinja Erak”, ka thënë Sveçla.

Sipas tij, institucionet e sigurisë kanë rritur vigjilencën dhe janë në koordinim të plotë me partnerët ndërkombëtarë rreth këtyre zhvillimeve.

“Çdo individ apo grup kriminal që synon të përshkallëzojë situatën, të cenojë jetën apo sigurinë e qytetarëve tanë, do të ballafaqohet me forcën e ligjit dhe drejtësinë. Qytetarëve tanë ju bëj thirrje për përmbajtje dhe të mos bien pre e kërcënimeve e shantazheve. I ftoj të gjithë qytetarët që për çdo kërcënim, presion apo pasiguri, të bashkëpunojnë me organet e sigurisë të cilat janë 24 orë në shërbim për ofrimin e sigurisë së tyre. Qeveria e Republikës së Kosovës është gjithmonë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim”, ka thënë ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ismet Sylejmani (Pjesë nga fjalimi i mbajtur para 23 viteve…