Sveçla takon ministren e brendshme belge, temë diskutimi edhe vizat

05 korrik 2022 | 17:15

Gjatë qëndrimit në Bruksel, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, është pritur në takim nga ministrja e Punëve të Brendshme të Belgjikës, Annelies Verlinden, me të cilën ka biseduar për marrëdhëniet e dy vendeve në fushën e sigurisë dhe bashkëpunimit policor.

Sveçla ka falënderuar Verlinden për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit belg për Republikën e Kosovës, si dhe ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit.

“Me këtë rast, ritheksova se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në NATO si dhe ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave e të cilat janë konfirmuar në vazhdimësi dhe nga Komisioni Evropian. Gjithashtu, biseduam për progresin qe kemi arritur në luftimin e krimit dhe korrupsionit, progres ky i konfirmuar edhe nga organizatat kredibile botërore”, ka shkruar Sveçla në llogarinë e vet në “Facebook”.

Sveçla ka theksuar se Verlinden u shpreh e kënaqur me bashkëpunimin mes institucioneve të Kosovës si në fushën e riatdhesimit e ripranimit.

“Po ashtu edhe në fushën e bashkëpunimit policor, me ç’rast theksoi përkushtimin e saj që ky bashkëpunim të formalizohet edhe me marrëveshje për bashkëpunim policor vitin e ardhshëm”, ka shkruar ministri Sveçla.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Driton Qaushi, i cili është…