Sylvinho: Dëshira për fitore është e madhe

05 qershor 2023 | 14:00

Në prag të ndeshjeve të qershorit, ajo me Moldavinë dhe Ishujve Faroe, trajneri i kombëtares shqiptare, braziliani Sylvinho, ka dalë në konferencë për shtyp.

Tekniku brazilian gjithashtu është ndalur edhe te lista e lojtarëve të grumbulluar. Sylvinho gjithashtu ka thënë se ndodhen në një moment delikat dhe kjo pasi gjendja fizike e lojtarëve është e ngarkuar pasi kampionatet me klubet përkatëse sapo kanë përfunduar.

“Sigurisht që kemi moment delikat sepse është fund sezoni dhe lojtarët janë të ngarkuar. Kjo është pjesë e punës dhe kam folur e kam takuar shumë lojtarë. Është situatë ku grupi duhet menaxhuar sa më mirë. Duhet menaxhuar intensiteti që lojtari të japë 100% në fushë dhe prandaj kemi zgjedhur 26 lojtarë. Duhet menaxhim i mirë pasi kemi moment delikat. I kemi të gjitha mundësitë për të fituar këtë ndeshje, por fusha do e tregojë më mirë këtë gjë. Ne kemi një rrugë për të bërë dhe të gjitha ndeshjet duhen fituar, të marrim pikë. Gjithsesi në këtë moment që flasim, unë e kam mendjen vetëm te ndeshja ndaj Moldavisë. Ne kemi një ekip të mirë, jam i kënaqur me punën”, ka thënë Sylvinho.

“Duhet të bëjmë një lojë të mirë, rezultati nuk është një gjë që ne mund ta kontrollojmë. E rëndësishme është të marrim pikë nga çdo ndeshje, sa më shumë aq më mirë. Dëshira është e madhe për të shkuar në finalet e ‘Euro 2024’. Jam i bindur që debutimi im në shtëpinë tonë do të jetë emocionues dhe që tifozët tanë do të na mbështesin për të marrë tre pikët. Këtë herë kemi një tjetër grumbullim lojtarësh në krahasim me atë ndaj Polonisë”, ka shtuar Sylvinho.

“Sadiku dhe Muçi? Kemi një grumbullim ndryshe këtë herë. Përpara kemi dy ndeshje, kundërshtarë krejt ndryshe nga Polonia. Muçi vjen nga një formë mjaftë e mirë. e meriton që të jetë këtu me ne dhe të ndihmojë skuadrën. Me Sadikun kam folur më përpara. Ai kthehet këtu pas gati tre vitesh. Është një simbol për Kombëtaren. Është një lojtarë që e njeh mjaft mirë zonën, golin. Është e rëndësishme që ne të bëjmë një lojë të bukur, por në fund do të vlejnë tre pikët. Ne e dimë që na duhen këto tre pikët. Ndeshja nuk fitohet nga një çast, por nga ajo që ndërton. Mund të them që jam i kënaqur nga kjo listë. Të gjithë ata që janë këtu e meritojnë. Është e rëndësishme të fitojmë me Moldavinë. Çekia nuk ka asnjë humbje. Është situatë shumë e tendosur. Gjithsesi jam i bindur për lojtarët e mi. Ata që do të zbresin në fushë do të jenë ata që do të jenë në 100%. Është sa më e rëndësishme që të bëjmë një lojë sa më të mirë përpara tifozëve tanë”, eshte përgjigjur Sylvinho.

“Roshi? Patjetër që Roshi është një lojtar i rëndësishëm. Nuk do të thotë që nuk do të jetë me ne në shtator. Është një lojtar mjaft i aftë. Por në këto momente kemi dhe lojtarët të tjerë që mund ta bëjnë më mirë atë rol. Roshi është në monitorim, ashtu si shumë lojtarë të tjerë të Kombëtares. Ne duhet të mendojmë për të fituar me Moldavinë e pastaj për ndeshjet e tjera. Gjithsesi unë jam i bindur për lojtarët e mi, e di që lojtarët e mi që do të zbresin në fushë do të japin 100% nga vetja e tyre”, është shprehur trajneri i kombëtares shqiptare.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian ka thënë të hënën se, është i gatshëm…