Sylvinho: Shqipëria do ketë emra të rinj, takova Brojën në Londër

08 mars 2023 | 12:33

Kualifikueset për “Euro 2024” po afrohen dhe te Shqipëria do të nisin shumë shpejt përgatitjet. Kuqezinjtë kërkojnë të bëjnë një fazë eliminatore pozitive, për të siguruar kështu një biletë për në Evropian. Vëmendja është tek trajneri i ri i kuqezinjve, Sylvinho, i cili ka filluar të mendojë për emrat që do ftojë në listë.

“Po, do të ketë emra të rinj. Prej dy muajsh këtu kam parë ndonjë ndeshje dhe mund të them që lojtarë të mirë ka gjithandej, por nuk dua të përmend emra. Është një lojtar te Partizani i cili më pëlqen shumë, e kam ndjekur disa herë dhe them se teknikisht mund të zhvillohet edhe më shumë. Te Partizani ka luajtur edhe Skuka i cili tashëm ka shkuar jashtë. Gjithmonë ka lojtarë dhe ne duhet t’i shohim, ndaj vendosa që të jetoj këtu, mendova që punën ta zhvilloja këtu. Puna nis nga këtej dhe theksoj që kam të evidentuar 2-3 lojtarë këtu të cilët ndoshta në të ardhmen mund të zhvillohen dhe të bëhen lojtarë të mëdhenj”, ka thënë Sylvinho në një intervistë për “RTSH”.

Ai u ndal edhe te fakti që Shqipëria në këtë moment ka disa lojtarë të rëndësishëm të dëmtuar dhe shpjegoi se kishte shkuar të takonte personalisht lojtarë si Armando Broja apo Ardian Bajrami për t’u treguar se ishin pjesë e planeve të tij kur të ktheheshin në fushën e lojës.

“Për fat të keq në futboll ndodh edhe dëmtimi, është një moment i vështirë për futbollistët. Kur nisa punën rreth dy muaj më parë, mendova të bëj një rrugëtim të gjatë për të takuar lojtarë të shpërndarë në Evropë, të tjerë i kam kontaktuar në telefon. Mendoja se në 2-3 raste duhet të shkoja e takoja e të flisja nga afër me ta, sepse doja t’u tregoja rëndësinë që kanë për ne, edhe pse nuk do të jenë në listë. Dëshiroja ti përqafoja se personalisht e di shumë mirë që një lojtar që qëndron 2-3 muaj jashtë, e ka shumë të vështirë.  Armando Broja është një nga të dëmtuarit që kam shkuar të takoj, është i dëmtuar dhe si ai ka edhe disa të tjerë, kam qenë edhe në Portugali për një lojtar. Kam biseduar me ta dhe e vetmja gjë që mund të them është se i kemi dhënë forcë dhe i kemi thënë se kanë të gjithë mbështetjen tonë dhe federatës për të kaluar këto momente. Nuk është e lehtë, nuk i kam takuar për çështje teknike apo taktike, por thjesht për t’i përshëndetur dhe për tu takuar. Kam folur edhe me Uzunin dhe me shumë të tjerë. Uzuni po kalon një moment shumë të mirë, por kemi shumë lojtarë të tjerë të fortë që po bëjnë mirë dhe këtë e them me bindje”, ka deklaruar Sylvinho.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Naser Mackaj shpall te pavlefshme dëftesat e kl:  Vl -…