“Synim ishte të lihej pa kokë populli shqiptar” – intervista e Grudës rikthehet në fokus në prag të aktgjykimit në Hagë

13 maj 2026 | 12:03

Në prag të shpalljes së aktgjykimit në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, po rikthehet në vëmendje një intervistë e vitit 2003 e profesorit të ndjerë të së drejtës ndërkombëtare prof. dr. Zejnullah Gruda, dhënë për gazetarin e njohur të RTK-së, Nuhi Bytyçi.

Intervista është zhvilluar gjatë procesit gjyqësor ndaj Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij në Tribunalin Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë, dhe po rikthehet në vëmendje në një moment kur pritet vendimi në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Në atë intervistë, prof. Gruda shprehte qëndrime të forta mbi mënyrën e trajtimit të figurave të UÇK-së në proceset ndërkombëtare.

“Akuzat më të ashpra, më të shpeshta drejtohen ndaj disa individëve, të cilët llogariten se i takojnë vijës së fortë,” deklaronte Gruda.

Në një pjesë tjetër të intervistës, ai shtonte: “Unë e besoj që është pjesë e një strategjie me e lënë pa kokë popullin shqiptar,” duke përmendur në këtë kontekst ish-udhëheqësit kryesorë të UÇK-së: Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Agim Çeku dhe Fatmir Limaj të cilët ai i cilësonte si “shtyllat e shtetësisë së Kosovës”.

Rikthimi i kësaj interviste vjen në një moment kur në Hagë ka përfunduar faza e dëgjimit të dëshmitarëve dhe fjalët përfundimtare në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa pritet shpallja e aktgjykimit.

Në Kosovë ndërkohë vazhdojnë debatet publike dhe politike lidhur me procesin, përfshirë edhe shqetësimet e ngritura nga mbrojtja, organizata vendore e ndërkombëtare dhe opinioni publik për standardet e ulëta të gjykimit, kohëzgjatjen e paraburgimit, barazinë e palëve dhe respektimin e të drejtave të të akuzuarve gjatë procesit në Hagë.

Deklaratat e prof. Grudës, të bëra më shumë se dy dekada më parë, po rikthehen kështu si pjesë e debatit historik dhe politik mbi proceset ndërkombëtare ndaj lidershipit të UÇK-së.

(Video: Pjesë nga intervista e prof. Zejnullah Grudës dhënë për RTK në vitin 2003)

Intervista në këtë link: https://drive.google.com/file/d/1aTy2hpOwWFp4lw2Ef5XAMDX_fbnEdVP1/view?usp=drivesdk

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
E ardhmja e Robert Lewandowskit vazhdon të mbetet një nga…