Ta zgjidhim krizën pa kërkuar ‘Vranitzky’-n

17 qershor 2019 | 11:02

Koço Kokëdhima

Mazhoranca kërkon të bëjë zgjedhje e vetme, presidenti kërcënohet të rrëzohet dhe opozita ngre Aleancën Qytetare, si komitetet e shpëtimit të vitit 1997.

Në maj të 1996-s zgjedhjet parlamentare u vodhën masivisht nga Berisha dhe u dënuan ashpër nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Partitë opozitare bojkotuan procesin. PD-ja fitoi 122 nga 140 vende në parlament.

Në vitin 1997 shembja e skemave piramidale solli humbjen e parave të qytetarëve dhe nxiti protesta të gjera antiqeveritare. Presidenti Berisha shpalli shtetrrethimin më 1 mars 1997 kur grupe të armatosura morën kontrollin e qyteteve. Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian dërgoi në Shqipëri një mision këshillues të drejtuar nga kancelari Franz Vranitzky, i cili ndihmoi në zbutjen e krizës politike, duke iniciuar dialogun mes qeverisë dhe opozitës. E majta erdhi në pushtet me një mbështetje të madhe popullore dhe shkroi kushtetutën e vitit 1998, që niste me fjalët: ne populli shqiptar…

Pajtimi që i bëri OSBE-ja politikanëve shqiptarë, i shoqëruar me amnisti për krimet e tyre, u kthye në model, që në fakt përjashton vullnetin popullor, përfshirë edhe të drejtën për t’u zemëruar.

Qysh nga viti 1997, marrëveshja e dy partive të vjetra ka rrënuar sundimin e ligjit dhe demokracinë pluraliste në Shqipëri.

Të huajt do të ishin pjesë, hartues dhe garantues të pakteve, ndryshimeve ligjore dhe certifikimit të pushtetit në këto 22 vjet të errët të demokracisë shqiptare. Marrëveshjet do ta përçudnonin kushtetutën, aq sa sot nuk ka më ekuilibër dhe reputacion të institucioneve. Ministri i Jashtëm grek, Katrougalos, i cili ka punuar si këshilltar i reformave zgjedhore të viteve 2000, në Shqipëri, tani mund të vërë re përkeqësimin.

Pakti Nano-Berisha i vitit 2002 për zgjedhjet ishte baza e marrëveshjeve të mëvonëshme Rama-Berisha dhe Rama-Basha. Pjesë e negociatave të vitit 2002 ishin edhe përfaqësuesi i OSBE-së Geert Ahrens dhe danezi Jorgen Grunnet i Këshillit të Evropës. Më 17 mars 2002 është bërë një takim në OSBE, në zyrat e ambasadorit Ahrens. Aty u shkrua protokoll-marrëveshja PS-PD. Këtu u fut termi “reforma bipartizane konsensuale”. Ishte thjesht ndarje pushtetesh në tryezë.

Mbi bazën e kësaj marrëveshjeje u vendos që të zgjidhej presidenti konsensual. Një ditë pas këtij takimi u shkarkua Prokurori i Përgjithshëm Arben Rakipi. Firmat e Nanos dhe Berishës do të hidheshin në zyrat e OSBE-së më 5 prill 2002. Fotografitë e shtrëngimit të duarve të “dy armiqve” në atë kohë, iu mjaftonin njerëzve për të justifikuar çdo pakt që ata do të bënin. Në këtë rrugë, Edi Rama në vitin 2008 firmosi ndryshimet kushtetuese famëkeqe dhe në vitin 2012 ato për Kodin Zgjedhor.

Marrëveshja e partive të vjetra është mbi ligjin dhe kushtetutën. Ato e kanë zhveshur popullin nga të gjitha të drejtat. Kryetarët e partive të vjetra kanë kapur shtetin, parlamentin, partitë, zgjedhjet, ekonominë, burimet, administratën etj. Gjithçka është në duart e këtyre tre-katër burrave. Popullit i vijnë fatkeqësi edhe nga bashkëpunimi e marrëveshja edhe nga lufta mes tyre. Sepse asnjë luftë apo marrëveshje e tyre nuk bëhet për interesat e shqiptarëve! Asnjë!

Pse sot na udhëheq marrëzia dhe askush nuk kupton çfarë po ndodh? Pse është çmendur ‘kali’? Pse sot në protesta kërkohet vetëm koka e Edi Ramës? Pse nuk kërkohen reformat jetike për vendin? Si ka mundësi që kur ua do puna këtyre dy-tre liderëve ne mbetemi pa parlament, pa deputetë, pa paqe e siguri, pa zgjedhje, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, pa kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pa reformë zgjedhore? Mirë se punë, zhvillim e mirëqenie nuk po shpresojmë më! A nuk ju duket si e sajuar kjo situatë lufte? Çfarë është prishur që sot shantazhohemi me përplasje e konflikt civil dhe nuk po gjendet një pazar i ri si shumë të tjerë më parë?

“Është ekonomia, budalla”, thotë një shprehje e famshme e Klintonit në 1992. Përveç makutërisë së paparë e të padëgjuar ndonjëherë për të grumbulluar të gjitha pushtetet e Republikës në dorën e tij, Edi Rama ua kaloi në mënyrë të frikshme paraardhësve me pushtetin ekonomik që krijoi përmes hashashit, krimit, korrupsionit dhe PPP-ve duke krijuar fonde e pasuri gjigante për vete dhe për klientët e tij. Por jo vetëm kaq.

Duke përdorur mafien e marihuanës dhe kriminelët e çdo lloji, ai arriti të prishë të gjithë ekuilibrat. Raportet duket se kanë ndryshuar në mënyrë të thellë. Kundërshtarët e tij ndihen të kërcënuar edhe penalisht, përveç se politikisht. PD e ka akuzuar Ramën se prishi konsensusin e 22 korrikut 2016 për të bërë reformën në drejtësi. Me pak fjalë, PD dhe LSI duan prokurorin e përgjithshëm dhe të kenë veto në emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe të shtyjnë në kohë krijimin SPAK, që e kontrollojnë SHBA dhe BE, sipas ndryshimeve kushtetuese. Si reagim, opozita bllokoi për herë të parë, pas 15 vitesh pseudoreformën konsensuale zgjedhore.

Kjo përplasje i intereson kryeministrit. Edhe ai ndihet i kërcënuar për krimet që ka kryer në qeverisje. Vetëm në kushtet e kaosit, si ai i vitit 1997, mund të vihet në tryezë gjithçka bashkë me zgjedhjet, përfshirë Drejtësinë dhe amnistinë për veten e tyre.

Sot po përballet një autokrat që kërkon sundim dhe pasuri dhe një opozitë e pasinqertë, e paaftë dhe e pabesueshme, që nuk ka vizion dhe as një platformë përbashkuese, por vetëm detashmentet e militantëve, që po i riorganizon në formën e komiteteve të shpëtimit.

Sot, me përpjekje teatrale në Bruksel, në Berlin e gjetkë, kryeministri po mundohet t’ua pikturojë situatën zyrtarëve të BE-së, në mënyrën sa më mirë për qeverinë. Ata e mbështetin të bëjë zgjedhjet i vetëm në 30 qershor. Duket sikur duan të shohin finalen e tragjikomedisë shqiptare. Një ndryshim tjetër në tablo vjen nga presidenti. Ai ka nxjerrë një dekret për shtyrjen e zgjedhjeve. Presidenti i dha kohë dhe mundësinë që të merren vesh Edi Ramës dhe opozitës rreth PD-së.

Nëse kjo kohë harxhohet me komitete e aleanca shpëtimi, do të shkohet drejt kaosit dhe konsolidimit të tiranisë. Nëse zhvillohet një platformë kombëtare gjithëpërfshirëse e konsensuale me qëllim demokratizimin e qeverisjes, shtetit, partive dhe zgjedhjeve, paqja do të garantohet, sovraniteti i popullit do të rivendoset dhe do të ngushtohet në mënyrë domethënëse pushteti i kryetarëve të partive. Jo një pazar mes kryetarëve të partive.

Jo një pazar si ai i 18 majit dhe as si shumë të tjerëve përpara tij. Ne të partisë ‘Zgjidhja’ këtë e quajmë Pakti Kombëtar për kapërcimin përfundimtar të krizës, Pakt Kombëtar për stabilitet demokratik dhe jo për stabilitet autokratik. Është momenti ta nisim këtë proces dhe t’ia mbërrijmë pa kërkuar një Franz Vranitzky të ri. Kjo është një sprovë e re që do vendosë shumë për të ardhmen e Shqipërisë. Të mos humbim kohë. Duhet të shembim sundimin e marrëveshjes së tre-katër njerëzve jo të lartë dhe të vendosim lirinë dhe rendin e ligjit në tokën tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Madona ka kritikuar rrjetin social “Instagram”, duke thënë se skllavëron…