Tahiri, 1 Maji: Jemi krah për krah me kërkesat legjitime të Sindikatës së sektorit privat
Ish-shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar me rastin e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, duke shprehur mbështetje për të drejtat e punëtorëve dhe duke ngritur shqetësime për gjendjen e tyre në vend.
Në një postim në ‘Facebook’, Tahiri theksoi se 1 Maji nuk është vetëm një datë simbolike, por një ditë që u kushtohet atyre që, sipas tij, mbajnë familjet dhe ndërtojnë shtetin përmes punës së përditshme, shpesh pa vlerësimin e merituar.
Ai u shpreh në mbështetje të kërkesave të sindikatave të sektorit privat, duke theksuar se duhet më shumë angazhim institucional për përmirësimin e kushteve të punës.
Po ashtu, ai kujtoi familjet që kanë humbur të afërmit në vendin e punës, duke e cilësuar këtë si një plagë të rëndë shoqërore.
Postimi i Tahirit:
Sot, më 1 Maj, nuk është thjesht një datë. Është dita e punëtorëve, e atyre që lodhen çdo ditë për të mbajtur familjen, i atyre që ndërtojnë këtë shtet me duart e tyre, shpesh në heshtje e pa u vlerësuar sa duhet.
Sot jemi krah për krah me kërkesat legjitime të Sindikatës së sektorit privat. Jemi me familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre në vendin e punës, plagë që nuk shërohen kurrë. Jemi me çdo punëtor që nuk trajtohet me dinjitet, që nuk respektohet sipas kontratës, që detyrohet të zgjedhë mes bukës dhe të drejtës.
Si deputet, kam ngritur zërin për punëtorët në çdo sektor. E kam bërë pata shumë vitesh për ligjin e pagave në sektorin publik, dhe së fundmi për të drejtat e punëtorëve në sektorin privat, sepse ata nuk janë kosto për shoqërinë, por forca që e mban atë gjallë.
Kurr s’duhet harruar se, dinjiteti i punëtorit është dinjiteti i shtetit.



