Tahiri: Çështje ditësh nënshkrimi i kontratave me bizneset që do të vendosen në zonën ekonomike

14 maj 2021 | 11:33

Komuna e Vushtrrisë brenda ditësh do të nënshkruajë kontratat individuale me bizneset që janë përzgjedhur për t’u vendosur në zonën ekonomike në Lumadh, nënshkrim ky që i hap rrugë bizneseve të fillojnë punën për vendosjen e tyre në këtë zonë.

Janë 22 biznese që janë përzgjedhur për t’u vendosur në këtë zonë e që parashihen të krijohen mbi 800 vende të reja të punës dhe 22 milionë euro investime.

Kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, thotë se është çështje ditësh kur do të ndodh nënshkrimi i kontratave me bizneset, por që premton se do të ketë monitorim strikt të përmbushjes së kritereve nga ana e bizneseve.

Tahiri thotë se i tërë procesi i vendosjes së bizneseve është vlerësuar si plotësisht në përputhje me ligjin nga dy ministritë e linjës, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

“Kuvendi i Komunës ka votuar vendosjen e bizneseve në Zonën Ekonomike këtu në Lumadh, do të kemi afër 800 vende të reja të punës dhe do të kemi 22 milionë euro investime. I tërë ky proces është vlerësuar si plotësisht i ligjshëm nga dy ministritë e linjës edhe Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Tani jemi në fazën e përgatitjes së kontratave individuale me bizneset, shumë shpejt do të kemi nënshkrimin e kontratave nga këto biznese dhe pastaj do të fillojnë punën vet bizneset që të përgatisin terrenin për t’i vendosur bizneset e tyre. Do të kemi një monitorim strikt dhe një zbatim strikt të kushteve të kontratës në mënyrë që të mos lejojmë asnjë përfitues që të mos i përmbahet kushteve për të cilat është përzgjedhur këtu në zonën e biznesit, qoftë ato për punësim, qoftë ato për investim, por edhe kohën e realizimit të investimit”, thotë ai.

Funksionalizimin e zonës ekonomike në Lumadh, kreu i Vushtrrisë Xhafer Tahiri, e quan realizim të ëndrrës së vushtrriasve. Ai shprehet i lumtur që përkundër pandemisë ka arritur ta kompletojë këtë projekt të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të qytetit që e drejton. /Kp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj…