Tahiri falënderon Britaninë për kontributin e dhënë në fuqizimin e drejtësisë

14 gusht 2019 | 11:32

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur sot në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell.

Me këtë rast, ai ka falënderuar qeverinë britanike si dhe ambasadorin O’Conell për mbështetjen e dhënë në transformimin e sistemit të drejtësisë.

“Për një kohë të shkurtë kemi arritur ta transformojmë fizionominë e sistemit të drejtësisë dhe në këtë arritje kanë merita edhe partnerët tanë zhvillimor. Jam falënderues ndaj qeverisë britanike që përmes Ambasadës dhe Ambasadorit Ruari O’Conell, përgjatë këtyre dy viteve, kam pasur mbështetje të vazhdueshme dhe direkte me ekspertë, me koncepte dhe me qasje konstruktive në reformat tona”, ka thënë ministri Tahiri.

Ka qenë angazhimi për drejtësi, që sipas ministrit Tahiri, ka bërë që të fitohet respekti i Britanisë, duke u bërë partner i fuqishëm në konsolidimin e sundimit të ligjit.

“Jam i nderuar që kam pasur një partner të tillë si Ruari. Bashkëpunimi i shkëlqyeshëm që kemi pasur, është manifestim i përkushtimit tim si Ministër dhe angazhimit të institucioneve tona për të marrë pronësi dhe përgjegjësi mbi detyrat tona ndaj sistemit të drejtësisë, ndaj institucioneve dhe shoqërisë në tërësi.   Rruga jonë drejt konsolidimit dhe fuqizimit të sundimit të ligjit është e pandalshme. Me punë, e kemi fituar respektin e Britanisë, dhe atë do ta kemi partner të fuqishëm edhe më tutje”, është shprehur Tahiri.

Tahiri i ka uruar suksese ambasadorit O’Conell në karrierën e tij të mëtutjeshme si dhe e ka falënderuar për angazhimin e tij në proceset politike e shtetndërtuese gjatë kohës së shërbimit të tij diplomatik në Kosovë.

 /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, pas pesë…