Tahiri: Me Projektligjin e ri për deklarimin e pasurisë do t’i jepet fund abuzimeve nga zyrtarët publikë

24 shkurt 2019 | 15:26

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se debati për parandalimin e abuzimit, keqpërdorimit, konfliktit të interesit dhe korrupsionit do të marrë fund me Projektligjin e ri për deklarimin e pasurisë, i cili është duke u hartuar nga kjo ministri.

“Me vite ka pasur debat nëse sistemi aktual i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publik është sistemi i duhur dhe nëse misioni i deklarimit të pasurisë është në funksion të parandalimit të abuzimit, keqpërdorimit, konfliktit të interesit dhe korrupsionit. Ky debat do të marr fund me projektligjin e ri për deklarimin e pasurisë, të cilin jam duke e përgatitur për ta sponzoruar në Kuvend”, ka shkruar Tahiri në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se deklarimi i pasurisë do të mundësojë edhe verifikimin e të dhënave të zyrtarëve shtetërorë të cilët do ta deklarojnë pasurinë.

“Një reformë e thellë është shtruar në këtë projektligj, përmes së cilit po reformojmë secilin aspekt që deri më tani nuk ka funksionuar, duke rritur pritjet dhe përgjegjësitë, duke mundësuar administrim më efikas të të dhënave të deklarimit, duke garantuar zbatim efikas të politikave të reja si dhe duke përmbushur rekomandimet e Bashkimit Evropian. Deklarimi i pasurisë do ketë mision të qartë, mbështetur edhe me instrumente që e mundësojnë verifikimin e të dhënave”, ka shkruar Tahiri.

Më tutje, Tahiri ka thënë se me Projektligjin e ri për deklarimin e pasurisë do të shtohet edhe lista e atyre që do ta deklarojnë pasurinë.

“Do kemi riklasifikim të pozitave që duhet të deklarojnë pasurinë, një listë të re dhe të zgjeruar, jo vetëm nga cilësimi i pozitave të larta publike, por edhe nga cilësimi i secilës pozitë ku ka potencial për abuzim, keqpërdorim të parasë publike dhe konflikt të interesit. Deklarimi i pasurisë, bashkë me evitimin e konfliktit të interesit do të konstituojnë instrumente jashtëzakonisht të rëndësishëm në luftën tonë kundër korrupsionit dhe keqpërdorimit”, ka shkruar ministri Tahiri.

/Epoka e re/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare…