Tahiri për Ligjin e Pagave: Sa ta marrim aktgjykimin, menjëherë do ta bëjmë publik grupin punues

06 korrik 2020 | 15:36

Javën e kaluar Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për pagat në sektorin publik, duke e pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit pas ankesave të disa sindikatave.

Pas pezullimeve, Gjykata ka vendosur që ky Ligj në tërësi s’ është në përputhshmëri me disa nene të Kushtetutës së Kosovës.

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, në konferencë për medie ka thënë se janë në pritje për ta marrë aktgjykimin e plotë të Kushtetueses që të krijohet grupi punues për këtë Ligj.

Ai ka thënë se aty ku Kushtetuesja ka sugjeruar për korrigjim do të veprojnë në të gjitha kategoritë dhe ku rekomandohet për largim të dispozitave do të veprojnë.

“Javën e kaluar unë jam zotuar se do të fillojmë me Ligjin e Pagave, ku zhvillova një takim me katër shtyllat kryesore të punëtorëve të sektorit publik. Theksova se nga Gjykata Kushtetuese nuk kemi një vendim, por kemi një njoftim nga ajo, të cilin e kemi analizuar. Andaj, garantova se çdo vërejtje do të merret parasysh dhe do të trajtohet”, ka thënë Tahiri.

Ai ka shtuar se çka do që nuk kontestohet si çështje nga Kushtetuesja, do të trajtohet si e tillë dhe do të mbetët.

“Aty ku janë dhënë rekomandime eksplicite për korrigjime, ne do të nisim punët që t’i inkorporojmë ato dhe Çka do që sugjerohet të hiqet nga Ligji ajo do të ndodh. Po ashtu theksova, se posa ta marrim vendimin nga Kushtetuesja do ta bëjmë publik grupin punues nga ministria që do ta trajtojë këtë temë”, ka deklaruar Tahiri.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-trajneri i Milanit dhe Juventusit, Massimiliano Allegri, ka zbuluar se…