Tahiri: Projektligji për paga dëmton dhe degradon sundimin e ligjit në Kosovë

30 janar 2019 | 12:50

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka reaguar ndaj ndryshimit dhe plotësimit të Projektligjit të pagave që rrezikon pavarësinë e sistemit gjyqësor në vend.

Ai ka thënë se Republika e Kosovës është duke bërë përpjekje për të vendosur një formulë mbi sistemin e pagave dhe kjo është më se e nevojshme, por sipas Tahirit, drejtimi që kanë marrë disa elemente rregullative të parapara me Projektligjin e pagave janë në shpërputhje me vlerat e një demokracie në të cilën pushtetet janë të ndara dhe të barabarta.

“Jam tejet i shqetësuar me faktin se parametrat rregullativ të vendosur në këtë projektligj, kanë prekur dhe degraduar pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke tjetërsuar koncpetin e pavarësisë së sistemit gjyqësor si pushtet i tretë dhe i pavarur. Kam shprehur dhe shprehë mospajtimin tim të plotë me propozimet e dhëna në projektligj, të cilat cenojnë pavarësinë e gjyqësorit”, është shprehur ministri Tahiri.

Ai ka thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka paraparë gjyqësor të pavarur, të pa ndikuar nga politika në asnjë mënyrë, dhe pavarësia financiare është thelbësore në profesionalizimin e mëtejshëm të këtij sektori.

Po ashtu Tahiri ka bërë me dije se do të kërkoj që të përfillet kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë që pagat të rriten për stafin civil të punësuar në gjykata dhe prokurori.

“Do të kërkoj edhe njëherë nga komisionet e Kuvendit që të shqyrtojnë me kujdes mënyrën sesi trajtojnë gjyqësorin, meqenëse kjo është jetike në funksionimin e demokracisë sonë. Pres që në ditët në vijim, deputetët të reflektojnë dhe të mundësojnë avancimin e reformave të ndërmarra në vitin e fundit, për të krijuar një ambient pune të përshtatshëm për gjykatësit dhe profesionistët tjerë, dhe për të mundësuar që ky sistem të jetë i besueshëm për qytetarët e vendit”, ka theksuar ministri Tahiri.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vlerësime pozitive për Mergim Mavrajn, që debutimin e tij me…