Tahiri: ZRRE-ja ta anulojë vendimin skandaloz për shtrenjtimin e rrymës

08 shkurt 2022 | 13:17

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kritikuar mazhorancën për abstenimin për ta futur në rend dite si mocion urgjent për debat parlamentar vendimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike.

Pas lëshimit të seancës plenare nga Grupi Parlamentar i PDK-së, Tahiri në një konferencë urgjente për media tha se çdo pikë tjetër që diskutohet sot në Kuvend është e parëndësishme në krahasim me këtë situatë, prandaj PDK propozoi edhe rezolutë për shkarkimin e Bordit të ZRRE-së dhe anulimin e vendimit të sotëm të këtij bordi për shtrenjtimin e energjisë elektrike.

“Sot, ZRRE ka marrë një vendim jashtëzakonisht të dëmshëm për jetën e qytetarëve në vendin tonë, një vendim që e rëndon jashtëzakonisht shumë jetën e çdo qytetari. Kostoja e jetesës në Republikën e Kosovës po bëhet e papërballueshme për qytetarët tanë. Mosanagzhimi qeverisë, mosangazhimi i duhur i kësaj mazhorance çdo ditë e më shumë po e rëndon gjendjen sociale në vendin tonë. Pra, paga e një mjeku, paga e një punëtori në sektorin privat, paga e një arsimtari, paga e secilit që paguhet nga buxheti i Kosovës dhe nga ai privat, sot e bën të papërballueshme mbulimin e shpenzimeve dhe kosoton e jetesës në vendin tonë”, ka thënë ai.

Tahiri ka theksuar se PDK-ja ka kërkuar në vazhdimësi nga Qeveria të ndërmarrë hapa karshi krizës së paralajmëruar me energjinë elektrike në vendin tonë, por ata kanë qëndruar të heshtur.

“Në anën tjetër i kemi ngritur shqetësimet tona sa i përket menaxhmentit të KEK-ut, njerëz të cilët janë vendosur tash e dy vite nga Lëvizja Vetëvendosje në krye të kësaj korporate energjetike dhe i kemi paralajmëruar dështimet, mosangazhimin dhe mosefikasitetin e tyre. Dhe, në vazhdimësi kemi parë një mospërfillje ndaj asaj që po e priste Republikën e Kosovës”, ka thënë ai.

Tahiri ka shtuar se vendimi i sotëm i ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike po e bën edhe më të papërballueshme jetesën në Kosovë, dhe do të ndikoj në rritjen e numrit të qytetarëve që duan të largohen nga vendi si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike. Andaj, ai tha se PDK-ja me këmbëngulësi kërkon shkarkimin e bordit të ZRRE-së.

“Ne besojmë që ky bord duhet të shkarkohet sepse janë njerëz të paaftë të cilët po e marrin në qafë jetën e qytetarëve tanë, po e rëndojnë jashtë mase jetën qytetarëve tanë. Së bashku me partitë tjera opozitare LDK dhe AAK padyshim që do të ftojmë një seancë të jashtëzakonshme me të cilën do të kërkojmë të votohet një rezolutë, e cila i kërkon ZRRE-së ta anulojë këtë vendim skandaloz për shtrenjtimin e energjisë. Po ashtu, në ditët në vijim do të bëjmë kundërshtimin e këtij vendimi në rast se nuk anulohet përmes institucioneve gjyqësore në vendin tonë”, ka theksuar Tahiri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numërimi prapa ka filluar dhe në pak orë do kuptohet…