Taksa dhe reciprociteti i plotë, çelësi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi

17 mars 2019 | 17:13

Blerim Muriqi

Taksa tashmë ka treguar dimensionin shtetëror. Ajo do të duhej të bëhej temë e dialogut për t’i ndihmuar kapacitetet tona dialoguese dhe politikat tona të jashtme karshi vullgaritetit serb. Me Serbinë nuk është dashur të bisedohej përveçse për të pagjeturit dhe përmes faktorëve ndërkombëtarë. Kërkimfalja dhe njohja nga Serbia mund të përbënin bazën nisëse të fillimit të komunikimit si fqinjë, edhe pse armiqësorë. Është e padrejtë të tentohen bisedime miqësore e besueshmërie me armikun tënd. Serbia nuk ka lëvizur për asnjë temë nga qëndrimet e shtetit fashist të Millosheviqit. Ajo po mbahet larg Kosovës me forcat ndërkombëtare. Po kjo Serbi në një rrethanë tjetër tashmë do të gjendej në luftë me ne.

Ajo duke mos kërkuar falje dhe duke mos u penduar për gjithë ato që na i ka bërë me vrasjet, dhunimet dhe deportimet, ka dëshmuar se ka mbetur po ajo millosheviqistja që ishte edhe në të shkuarën. Bashkësia ndërkombëtare e shtyri Kosovën përtej dhimbjes së saj në një dialog të kuptueshëm dhe kjo e trimëroi Serbinë. Bashkësia ndërkombëtare do të duhej të ishte më e prerë me Serbinë dhe politikat e saj agresive. Duke e mbajtur gjallë agresivitetin serb, toleranca e bashkësisë ndërkombëtare ka bërë gabime dhe ato po na çojnë në rishikime territoriale. Ky do të bëhet mësimi i dhimbshëm i historisë sonë në pritje për t’u përsëritur.

Taksa së cilës do të duhej t’i shtohej edhe reciprociteti në të gjitha sferat, deri edhe në trajtimin e minoriteteve respektive, do të bënte që Serbia të kuptonte se nuk ka më letargji as shqiptare e as ndërkombëtare. Një këndellje e tillë do t’i krijonte të gjitha parakushtet e fillimit të të kuptuarit nga secili se koha e së keqes ka mbaruar njëherë e mirë.

Gërshërët në veriun e Kosovës provokojnë zhbërje shtetesh

Vitet e pas Luftës së Dytë Botërore, përveçse për shqiptarët, për tjerët në ish-Jugosllavi mund të kenë qenë kohë shprese. Vitet e dekadat rrodhën me shumë zhvillime. Beogradi u mbrujt me shovinizmin e tij serb, me çka të gjithë i bëri armiq po aq sa i kishte shqiptarët që në pushtimin e tyre. Titoja për ta bërë dreqin edhe me brirë në kurriz të shqiptarëve krijoi Republikën e Maqedonisë dhe Vojvodinës, një krahine joserbe në popullim, u arrit t’i ndërrohej struktura e saj. Popullimi i saj me serb u bë nën trysninë e pranueshme të largimit të popullatës gjermane atje si fajtor kolaborimi me nazizmin.

Sanxhaku mori rrugën asimiluese në drejtimin e fesë, po nuk u bë serb. Myslimanizimi i tij, megjithatë, ruajti kujtimin për masakrat serbe në trevë. Mali i zi shpëtoi meqë Serbia besonte në vëllazërinë sllave, të cilën besonte se ia kishte arritur ta mbillte te malazezët. Ajo kishte harruar se gjaku nuk bëhet ujë.

Nëse nuk flasin plagët, flet kujtesa!

Shpërbërja e Jugosllavisë ishte domosdoshmëri raportesh ndëretnike. Ato ishin ngarkuar. Shovinizmi serb nuk po e kontrollonte veten. Beogradi u bë magjja ku gatuhej shovinizmi dhe prej ku shkëndijat e luftërave e krimeve shpërndanë federatën. E fundit ndër to u shkëput Kosova, edhe pse ajo duhej të ishte e para në atë zhvillim. U desh që bashkësia ndërkombëtare të na ndihmojë ushtarakisht duke e bombarduar Serbinë për ta realizuar, të paktën, minimumin human që kishin në themelet e saj kombet e bashkuara.

20 vjet pas kësaj sot Kosova po rrezikohet të futet nën thikat serbe për territoret e saj. Është e çuditshme se si disa nga shpëtimtarët e djeshëm po flitet se po e dërgojnë Kosovën në këtë gijotinë. Ata që po e dërgojnë Kosovën në gijotinën e territoreve, po harrojnë se rajoni jonë ka nevojë më shumë për paqen sesa për armiqësitë e reja. Më shumë ka nevojë për ta konservuar të tashmen sesa t’i ushqej apetitet e ndarjeve etnike, të cilave asnjëherë nuk do t’u gjendet fundi. Nëse Bashkimi Evropian është synimi i rajonit atëherë çdo lëvizje territori sot është shtyrja e këtij integrimi të paktën për 20 deri në 30 vjet. Kujt po i intereson kjo?

Kosovës mund t’i preken kufijtë dhe kjo nuk do të prodhojë luftë sot e derisa të jenë ndërkombëtarët këtu, veçanërisht amerikanët, por kjo nuk mund të thuhet për rajonet e tjera. Vojvodina, Sanxhaku i mbetur nën Serbi, serbët dhe kroatët e Bosnjës do ta kenë vështirë të mos e ndajnë Bosnjën. Po kësaj rruge do të provojnë të shkojnë serbët në Mal të zi. Po Maqedonia! Shqiptarët do ta donim kështu sikur është të tërën për vete, por ka edhe interesa të tjera atje.

Rusia në gjithë këto vite është angazhuar shumë për ta goditur Malin e Zi dhe aspiratën e tij për të mos u përfshirë në pansllavizmin rus. Ajo duket se po punon atje me elementin serb. Këtë ka provuar jo më pak edhe me Maqedoninë sikur që po e provon ta destabilizojë tashmë Shqipërinë. Në rrethanë të tillë Maqedonia, si pika nevralgjike e rajonit dhe kodi i pranueshëm i të gjithë nacionalizmave rajonalë, rrezikon të bëhet arenë shërbimesh inteligjente dhe përplasje nacionalizmash.

Nëse në Kosovë do të vendoset me çelësin: pse të jetojnë serbët e veriut me shqiptarët në Kosovë dhe pse Lugina e Preshevës në Serbi, atëherë gjithë popujt e rajonit nuk do të kenë apo duan të mos kenë përse të jetojnë me shtetet ku sot janë dhe popujt me të cilët i ndajnë hapësirat e përbashkëta. Ndarja e të pandarave është vetë konflikti. Forcat ndërkombëtare mund t’i mbajnë këto konflikte potenciale të ngrira, por motet do t’i shkrijnë këta akuj fatkeq të mbushur me gjak e fatkeqësi. Ne do jemi ata që do t’ia japim fëmijët tanë kësaj kuçedre që po na e përgatisin këto mendje të luajtura.

Nëse ky çelës është fati i rajonit tonë atëherë le të mendohet edhe pak e le të gjendet zgjidhja, e cila nuk na lë në gjysmë të rrugës prej ku vetëm luftëra e gjak do të ketë.

Ndarja etnike edhe mund të bëhet çelësi i rajonit, edhe pse kishim besuar se bota njerëzore është emancipuar më shumë sesa për të qenë e denjë për vlera segregacioniste. Në rast se kjo është dhurata që bashkësia ndërkombëtare dëshiron të na japë si zgjidhje të imponuar, të paktën le të mendojnë tërësinë e aksionit ku bashkë me territoret t’i lëvizin edhe popullsitë dhe t’i imponojnë kufijtë e luftës së ftohtë në 50 vjetët e ardhshëm.

Nuk besoj në sigurinë e një kishe shqiptare të grabitur nga shteti dhe historiografia serbe e cila është në territor shqiptar dhe se mund t’ua imponojë kush shqiptarëve që ajo akoma të mbetet serbe në paqenësinë e saj dhe të mos i kthehet pronarit legjitim, praktikantit të ritit përkatës shqiptar. Po ashtu, nuk besoj në paqen e miqësinë e popujve të bartur në shtëpitë e njëri-tjetrit. Forca i mban në një burg edhe dy armiq sikur mbajti komandantët tanë me kriminelët serbë në Hagë, por liria nuk do t’i bashkojë kurrë veç nëse rastësia do t’u jepte kënaqësinë ta vrisnin njëri-tjetrin.

Maqedonia është e brishtë dhe ajo më në fund po e gjen rrugën integruese nga brenda e nga jashtë, por për t’u prishur i mjafton vetëm nga brenda dhe nuk e mbron dot askush nga jashtë. Kjo formulë shkatërrimtare e zhbëri Bashkimin Sovjetik e Paktin e Varshavës, Jugosllavinë e gjithë lindjen. Kjo formulë fatkeqe për shtetet, por shpëtimtare për popuj, po e çon Spanjën në pranueshmëri ndarjeje ku katalonasit që e meritojnë lirinë e tyre, edhe ta gëzojnë.

Baskët, flamanët e kushdo popull e krahinë kanë mijëra arsyeja për të mos mbetur të pushtuar etj. Pse do të duhej që Tiroli i jugut të mos bënte hapat e ëndrrës së tij, ku do të lindte pyetja më kapitale e zhbërjes së Evropës?

Ne në Ballkan kemi luajtur mjaft me zjarrin!

Kushdo që mund të kuptojë se ku po futet do të bindet një ditë se loja me kufijtë është vetë gaca e pambuluar që do të duroj kujdestare për ta ndezur zjarrin e luftërave tona të ardhshme.

Shqiptarët dhe Serbët kanë shumë për të rregulluar mes vete dhe ato duhen bërë në kohë të tjera kur të largohemi nga era e gjakut.

Është mirë mos ta lodhim historinë!

Askush nuk është imun nga sherret!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur të dielën zgjedhjet…