TAKTIKAT NEGOCUESE PO E ZËVENDËSOJNË VULLNETIN E VOTUESVE!

11 janar 2020 | 22:34

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i kanë fituar zgjedhjet që të zëvendësojnë vullnetin e votuesve me taktikat negocuese, sepse atëherë nuk do të kishte kurrfarë sensi dalja në zgjedhje. Ata janë të autorizuar që në kuadër të fuqisë politike që ua jep votuesi të dizajnojnë kornizat e pushtetit ekzekutiv dhe asgjë më tepër.

Nga Mehmet PRISHTINA

Pas gjithë kësaj që po ndodhë me mos formimin e kabinetit të ri qeverisës, shtrohet një pyetje shumë e logjikshme: Çfarë kuptimi kanë zgjedhjet?

Deri më tani kemi dëgjuar disa versione që shprehin qëndrimet e njërës apo palës tjetër për arsyet e mos arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare në mes të LVV dhe LDK, por megjithatë ka munguar vullneti i plotë që këto qëndrime të përafrohen dhe për pasojë Kosova po lëviz në drejtim të panjohur. Kjo ka shtuar me të drejtë shqetësimet tek qytetarët, por edhe iritimin për arsye se me vullnetin e tyre të shprehur në zgjedhje, tani po abuzohet në emër të disa parimeve që nuk janë gjithmonë në frymën e kushtetutshmërisë dhe ligjeve në fuqi. Tani më tepër po bëhet pazar, se sa po bisedohet për program bashkëqeverisës, më tepër po flitet se kush po jep e kush po merr poste, e më pak për ditët e vështira që e presin Kosovën në procesin negocues me Serbinë, si dhe në krijimin e një ambienti më të shëndoshë institucional ku do të çrrënjoseshin devijimet dhe anomalitë e shumta.

Kosova ka më shumë nevojë për politikanë që kujdesen për të ardhmen e saj se për politikanë që masin me miligram sasinë e pushtetit në qeveri. Kështu siç po zhvillohet situata, krijohet përshtypja sikur Kosova nuk ka kurrfarë problemi ekonomik, social, politik dhe formimi i Qeverisë shikohet si diçka e dorës së dytë. Në fakt është krejt e kundërta. Kosova nuk e ka luksin të mbetet pa Qeveri, kurse e ardhmja e saj është tepër sfiduese në raport me përgjegjësitë që duhet të kenë politikanët që fituan zgjedhjet e fundit të 6 tetorit.

Ka ndodhur edhe në shtetet shumë më të zhvilluara se Kosova, që formimi i kabinetit të ri qeverisës të zgjasë me muaj e me javë. Por atje, mungesa e Qeverisë kompensohet me disiplinën e administratës dhe shtetit në menaxhimin e resurseve humane e financiare.

Në Kosovë edhe kur kemi pasur Qeveri ka ndodhur të ngecin shumë, e lëre më tani kur situata mund të komplikohet nga momenti në moment si pasojë e boshllëkut institucional.
Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i kanë fituar zgjedhjet që të zëvendësojnë vullnetin e votuesve me taktikat negocuese, sepse atëherë nuk do t kishte kurrfarë sensi dalja në zgjedhje. Ata janë të autorizuar që në kuadër të fuqisë politike që ua jep votuesi të dizajnojnë kornizat e pushtetit ekzekutiv dhe asgjë më tepër.

Negociatat e fundit ndërpartiake jepnin të kuptosh se LVV dhe LDK herë-herë dilnin jashtë kësaj logjike dhe ndërtonin një kauzë tjetër që ishte në kundërshtim me mandatin që ua kishte caktuar sovrani.

Thelbi i marrëveshjeve politike është kompromisi. Edhe në këto bisedime për formimin e kabinetit të ri qeverisës në mes të LVV dhe LDK, duhet të dominojë kompromisi por edhe transparenca. Ka ndodhur që në mungesë të transparencës të shtohet dendësia e murit në mes tyre sepse spekulimet e portaleve ndikuan që të vijë deri te kjo dendësi. Fajtor për këtë ishin vetë pjesëmarrësit partiak në këto bisedime, të cilët ose parapëlqenin të heshtnin përballë interesimit të gazetarëve, ose të liferojnë gjysmë të vërtetat që mendonin se në këtë mënyrë do të forconin pozitat negocuese. Kjo ka ndikuar madje që të krijohet njëfarë mosbesimi në mes të dy partive, dhe për pasojë, në vend se të kishin avancuar bisedimet, herë-herë erdhi deri te bllokimi i procesit.

Nëse bëjmë një krahasim të entuziazmit gjithëpopullor menjëherë pas zgjedhjeve dhe situatës së tanishme, lirisht mund të konstatojmë se partitë fituese kanë një përgjegjësi të madhe në shndërrimin e optimistëve të djeshëm në pesimistë të sotëm.

Ky është një rrisk i madh moral i partive që ndihmën e votuesve e marrin vetëm si argatllëk për të ardhë në pushtet, por jo edhe përgjegjësi për të mos abuzuar me besimin dhe sinqeritetin e tyre.

Prishtinë, 11 janar 2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas barazimit dramatik me Italinë, Kombëtarja e Kosovës në hendboll…