Task Forca t’i parandalojë aksidentet në komunikacion

26 korrik 2018 | 10:21

Anëtari i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fatmir Xhelili, ka thënë  se gjendja e sigurisë në vendin tonë është e qetë dhe pa probleme të mëdha.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se Kosova ka bashkëpunim të mirë me Shqipërinë, Maqedoninë dhe me Malin e Zi.

Sipas tij, ky bashkëpunim është dëshmuar gjatë operacioneve të përbashkëta që janë zhvilluar për t’i evituar disa rreziqe.

Xhelili ka pohuar se është nevojë dhe domosdoshmëri për Policinë e Kosovës dhe atë të Serbisë që të kenë bashkëpunim në mes vete për t’i evituar rreziqet eventuale në të dy shtetet.

Duke folur për procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, ai ka thënë se lobimi është pozitiv dhe këtë vit ka gjasa që Kosova të bëhet pjesë e Interpolit.

Xhelili ka vlerësuar se Kosova i ka plotësuar kriteret teknike për të qenë pjesë e Interpoli.

Ndërsa sa i përket numrit të madh të aksidenteve me fatalitet në komunikacion, ai ka bërë me dije se një gjë e tillë po ndodh për shkak të mospatrullimit të mjaftueshëm nëpër rrugë, mungesës së kontrolleve teknike rigoroze për gjendjen e veturave, tejkalimit të shpejtësisë si dhe përdorimit të alkoolit.

Xhelili ka thënë se Task Forca e sapo krijuar duhet t’i parandalojë aksidentet me fatalitet duke qenë serioze ndaj atyre që i shkelin rregullat e komunikacionit.

Ai ka shprehur optimizëm se masat ndëshkuese dhe parandaluese do të ndikojnë pozitivisht në uljen e numrit të fatkeqësive dhe aksidenteve në komunikacion.

Sipas Xhelilit, masat parandaluese, këshillat si dhe prania e policëve në uniformë dhe patrullave në rrugë ndikon më shumë sesa gjobat.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, pas eliminimit nga Liga…