Tatimet dhe taksat doganore diktojnë projeksionet për buxhetin

18 tetor 2019 | 11:19

Të hyrat nga tatimet dhe taksat përbëjnë shtyllën kryesore prej së cilës varet qëndrueshmëria financiare e një shteti, që njëherësh është burimi kryesor i mbushjes edhe të buxhetit të Kosovës.

Bazuar në projeksionet aktuale, parashihet që buxheti i Kosovës për vitin 2020 të jetë 2.4 miliardë euro.

Institucionet përgjegjëse për mbledhjen e taksave, tatimeve dhe detyrimeve të ndryshme financiare janë Administrata Tatimore dhe Dogana e Kosovës.

Këto dy institucione, sipas zyrtarëve të tyre, edhe gjatë këtij viti kanë treguar performancë të mirë në mbledhjen e të hyrave për arkën e shtetit. Ata thonë se i kanë përmbushur projeksionet e Qeverisë së Kosovës për këtë vit.

Nga 2.3 miliardë euro sa është buxheti i këtij viti, nga zyrtarët e Qeverisë konsiderohet të jetë i realizueshëm, i qëndrueshëm dhe që ruan stabilitetin fiskal.

Parashikimet e Qeverisë, tashmë në largim, për Doganën e Kosovës janë që deri në fund të vitit të arrijë të grumbullojë 1.2 miliard euro.

Drejtori i këtij institucioni, Bahri Berisha, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se deri më tani janë mbledhur 900 milionë euro.

Ndërsa deri në fund të vitit Berisha ka bërë me dije se do të përmbushet projeksioni i parashikuar nga Qeveria e Kosovës.

“Projeksioni është duke vazhduar mirë, duke marrë parasysh edhe faktorët e jashtëm që mund të ndikojnë performancen e Doganës, sepse Dogana mbledh të hyra bazuar në import, aq sa ka vëllim të tregtisë dhe aq sa ka rritje ekonomike. Por, normal ndikim në të hyra mund të kenë edhe politikat fiskale që i kemi në fuqi. Nëse flasim në aspektin nominal, kemi rreth 60 milionë euro vetëm për prodhuesit që janë liruar nga të gjitha taksat, që ka pasur efekt drejtpërdrejt në taksat e Doganës”, ka thënë Berisha.

Në të hyrat e Doganës, është thënë se nuk vërehet ndonjë efekt i zbatimi të taksës 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, të cilën Qeveria e Kosovës e ka vendosur në nëntorin e vitit 2018.

“Të dhënat tona tregojnë se importi vetëm është zhvendosur drejt vendeve tjera. Dhe, në bazë të këtij vëllimi, ne nuk mund të dimë saktësisht se ku është rritur apo ku është zvogëluar, sepse nëse ka ardhur një produkt në të kaluarën nga Serbia, tashmë mund të vijë nga Maqedonia, Shqipëria apo Sllovenia. Kjo mund të dallojë edhe në çmime, por mund të ketë efekt negativ edhe pozitiv”, ka thënë Berisha.

Ai ka deklaruar se aktualisht, Kosova importon më së shumti nga Gjermania, Turqia, Kina, Shqipëria, Italia, Maqedonia e Veriut, Greqia, Sllovenia, Polonia, Bullgaria, e kështu me radhë.

“Këto janë shtetet në top-listën e 10 vendeve, nga të cilat Kosova importon më së shumti”, ka theksuar ai.

Për vitin 2020, Dogana e Kosovës, sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2020-2022, parashihet të grumbullojë rreth 1.3 miliard euro.

Ndërkohë, Administrata Tatimore e Kosovës, është thënë se ka tejkaluar objektivat e planifikuara.

Valentina Bytyçi- Sefa, zëdhënëse në këtë administratë, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se nga muaji janar deri në shtator të këtij viti, kjo agjenci ka grumbulluar 372 milionë euro.

Projeksioni i ATK-së për këtë vit, ka thënë Bytyçi- Sefa, është mbledhja e 516 milionë eurove apo 16 për qind më shumë së plani i vitit të kaluar.

“Administrata është duke punuar maksimalisht në luftimin dhe parandalimin e ekonomisë joformale, meqë me uljen e informalitetit, do të kemi rritje të të hyrave dhe njëkohësisht, krijim të barazisë në treg”, ka thënë Bytyçi-Sefa.

Buxheti i Kosovës për vitin 2020, sipas kësaj Kornizës Afatmesme, parashihet të jetë rreth 2.4 miliardë euro apo një milion euro më shumë sesa buxheti i këtij viti.

Miratimi i buxhetit të vitit 2020, pritet t’i mbetet Qeverisë së re të Kosovës, e cila do të formohet si rezultat i zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reperja e njohur Nicki Minaj ka thënë se javën e…