Taulant Balla: Protestat në Shqipëri janë rezultat i ndërhyrjeve të huaja
Kreu i grupit parlamentar socialist në Shqipëri, Taulant Balla, ka deklaruar se protestat e fundit në vend janë ndikuar nga ndërhyrje të agjencive të huaja.
Balla ka thënë se brenda protestave ka elementë që, sipas tij, lidhen me interesa të jashtme dhe ka paralajmëruar se nuk do të lejojë që protestat të përdoren për qëllime politike nga opozita.
“Brenda kësaj proteste janë përfshirë edhe elementë që nga dita e parë, kur e frynë këtë tullumbace që pothuajse ka plasur tanimë. Duket qartë që janë interesa që lidhen me konkurrencën rajonale turistike, me interferenca të huaja të vendeve jo miqësore me Shqipërinë”, ka thënë Balla.
Ai ka shtuar se protesta, sipas tij, po shkon drejt shuarjes dhe se zhvillimet e fundit do të sqarojnë më tej situatën.
“Kjo histori dita ditës po zbardhet. Ky tullumbac po shfryhet, i plasur tanimë, në sytë e të gjithë qytetarëve shqiptarë”, ka deklaruar Balla.



