Të burgosurit në Kosovë bisedojnë me “Skype”

26 mars 2020 | 10:49

Kosova, ashtu si vendet e tjera në botë, është duke u përballur me pandeminë e COVID-19, e njohur si koronavirus. Deri më tash në vendin tonë nga ky virus janë prekur 71 persona, kurse një ka humbur jetën. Si rrjedhojë e kësaj pandemie, Shërbimi Korrektues i Kosovës ditë më parë ka bërë të ditur se për parandalimin e përhapjes së koronavirusit do të ndërpriten të gjitha vizitat familjare nëpër të gjitha institucionet korrektuese dhe ato të paraburgimit.

Gjatë kësaj periudhe kohore u tha se SHKK do t’u mundësojë të burgosurve telefonata me të shpeshta me familjarë, me komunikim virtual përmes “Skype”.

E një komunikim i tillë në të gjitha qendrat korrektuese është duke u bërë kanë bërë me dije për Telegrafin nga Ministria e Drejtësisë.

Në përgjigjen e tyre thuhet se tashmë është instaluar aplikacioni “Skype” në të gjitha qendrat korrektuese dhe të paraburgimit. “Sapo ka nisur të shtohet rreziku nga virusi korona, ne në secilën qendër kemi dërguar instruksionet dhe masat që duhet t’i ndërmarrin me qëllim të ruajtjes së shëndetit dhe jetës së të burgosurve, por edhe stafit korrektues. Në këtë drejtim si masë e parë ka qenë ndalimi i vizitave të familjarëve të të burgosurve mirëpo këtë e kemi zëvendësuar me instalimin e ‘Skype’. Në të gjitha qendrat korrektuese dhe të paraburgimit është instaluar ‘Skype’”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë.

Nga ministria kanë shtuar se kjo formë e komunikimit është mirëpritur në masë të madhe nga të burgosurit. “Në pamundësi që të burgosurit të takohen fizikisht me familjarët e tyre ne kemi paraparë këtë fazë. Kjo është mirëkuptuar në masë të madhe edhe nga vetë të burgosurit. Këto masa janë të parakohshme, pra varen nga eliminimi i rreziqeve nga ky virus që ka shkaktuar pasoja të mëdha”, kanë deklaruar për Telegrafin nga Ministria e Drejtësisë.

Se një komunikim i tillë në mes të burgosurve dhe familjarëve të tyre është duke funksionuar, e ka konfirmuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi.

Thaçi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se vendimi për komunikim përmes “Skype” është duke u zbatuar.

“Po, ka filluar të zbatohet qysh nga java e kaluar”, ka thënë shkurt Thaçi.

Kujtojmë se deri më tash nga personat e prekur nga koronavirusi nuk ka asnjë rast të shënuar në të gjitha qendrat korrektuese dhe të paraburgimit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dua Lipa ka publikuar edhe këngn e radhës nga albumi…