Të gjithë mbrojnë krimin e organizuar, si “UNMIV-i” “(i Veriut)” dhe BE-ja?!

29 nëntor 2018 | 11:00

Nga Jakup Krasniqi

Nuk ka asnjë dyshim, në komunat veriore me shumicë serbe, nga fillimi e deri më sot ka sunduar krimi i organizuar serb, në krye të të cilit kanë qenë dhe ishin të gjithë presidentët e Serbisë, përfshirë edhe këtë të fundit.

Se kriminelët serbë nuk duhet të jenë të qetë, kjo është edhe e kuptueshme, e kuptueshme është edhe kur këtyre u del në mbrojtje Vuçiqi dhe i gjithë aparati i tij kriminel, madje disi e kuptova edhe “shefin” e “UNMIV-it” (e quajta UNMIV, se është vetëm për veriun), që bashkëqeverisi me kriminelët e asaj pjese prej që është instaluar në veri (në vitin 2008), por më vjen keq pse zyrtarë të BE-së (zëdhënësja), por edhe të tjerë, vrapojnë të vihen në mbrojtje të strukturave kriminale serbe në atë pjesë të Kosovës.

Pa dyshim, pa faj nuk janë as të gjitha qeveritë e pas luftës, e sidomos qeveritë e pavarësisë të cilat as edhe një herë problemin e veriut nuk e shtruan si duhet në asnjë nivel politik, përkundrazi, nga viti 2012/13 e këndej në institucionet e Kosovës kanë sjellë struktura që i përgjigjën Beogradit e jo Kosovës e as interesave të qytetarëve serbë të cilët Serbia i konsideron “mish për top”. Kulmi i krejt kësaj është arritur këtë vit në Kosovë, kur temë qendrore në çdo segment të shoqërisë sonë është bërë tema serbe për ndarjen e Kosovës.

Zhvillimet e këtyre dite, sidomos taksa 100 për qind për mallrat serbe, ishte vetëm një shkas, shkaqet e vërteta të këtyre veprimeve të serbëve të veriut duhen kërkuar te politika serbe e pastaj edhe te bisedimet politike të Brukselit që prodhuan “Listën serbe” e cila i përgjigjet vetëm Beogradit. Te situata e sotme do të na sillte çdo përpjekje e Kosovës për ta vendosur atje sundimin e rendit e të ligjit, siç ishte taksa dhe arrestimi i vrasëseve të Oliver Ivanoviqit.

Të gjithë mbështetësit e ndarjes së Kosovës duhet ta dinë se pas një veprimi të tillë, të ndarjes së Kosovës, duhet të pushojnë të gjitha pengesat që çojnë në drejtim të bashkimit të Kosovës e të trojeve të tjera shqiptare me Shqipërinë! Mbase kjo është mënyra e vetme për të garantuar paqen dhe sigurinë në Ballkan!

Padrejtësia që iu bë shqiptarëve para 105 vjetëve në Konferencën e Fuqive të Mëdha në Londër duke i bërë copë-copë tokat shqiptare, ka krijuar disbalancë dhe pasiguri në Ballkan, pasojat e të cilit vendim të padrejtë po i bartim edhe sot.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani kanë mbetur pa…