Të hyrat vetanake në tremujorin e parë të këtij viti në Mitrovicë shënojnë rritje

17 prill 2019 | 13:14

Bordi i Drejtorëve në komunën e Mitrovicës ka mbajtur mbledhjen e radhës, e cila është drejtuar nga nënkryetari i komunës Faruk Mujka.

Fillimisht drejtori i Financave, Shukri Gashi, ka folur lidhur me inkasimin e të hyrave vetanake për tremujorin e parë të vitit 2019.

Ai ka theksuar se në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak ka shënuar rritje prej 23,26 për qind, ndërsa sipas planifikimit rritja është shënuar 92,65 për qind.

Me këtë rast, drejtori Gashi ka falënderuar Drejtorinë e Urbanizmit e cila ka arritur të sigurojë inkasimin më të madh të të hyrave, si dhe ka kërkuar edhe nga drejtorët tjerë të përkushtohen maksimalisht që në gjashtëmujorin e parë të këtij viti planifikimi të arrihet në 100 për qind.

Po ashtu, drejtori Gashi ka njoftuar ekzekutivin rreth Panairit të Punës për vitin 2019 i cili është mbajtur në gjashtë qytete të Kosovës, përfshirë këtu edhe komunën e Mitrovicës, me ç’rast Zyra Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) e ka vlerësuar Mitrovicën si më të suksesshme në këtë panair, me rreth 500 vende pune dhe 782 aplikacione të plotësuara nga qytetarët.

Ndërsa, drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka thënë se edhe gjatë këtij vikendi inspektorët komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë inspektuar subjektet afariste lidhur me vendimin për respektimin e orarit të punës.

Po ashtu, ai ka thënë se vendimi i kryetarit Bahtiri që dita e diele të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset në Mitrovicë është duke u respektuar në përpikëri.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, dhe kryetari i…