Të ndërpritet zvarritja e projektligjit për financimin e subjekteve politike

17 qershor 2022 | 16:34

Në mars të këtij viti, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar në parim projektligjin për financimin e subjekteve politike.

Megjithatë, përkundër që Rregullorja e Punës përcakton që pas miratimit në parim, raporti për projektligjin duhet të sillet në Kuvend brenda dy muajve, ky afat nuk është respektuar nga Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Përveç afateve procedurale, ky projektligj ka tejkaluar edhe afatet e përcaktuara në Programin Kombëtar të Zbatimit të MSA-së për vitet 2021-2025, ndërsa është në fund edhe të afateve të përcaktuara në Agjendën për Reforma Evropiane (ERA) 2.

Në lidhje me këtë kanë reaguar organizatat, Demokracia Plus (D+); Demokraci për Zhvillim (D4D); Instituti Demokratik i Kosovës (KDI); Lëvizja FOL; Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu.

Sipas këtyre organizatave, zvarritja e këtij procesi shpërfaqet edhe nga numri minimal i takimeve dhe diskutimeve të zhvilluara nga grupi punues për këtë projektligj me vetëm një dëgjim publik të organizuar deri më tani.

“Për më tepër, puna e këtij grupi punues nuk ka qenë e transparente dhe gjithëpërfshirëse në raport me organizatat e shoqërisë civile, siç ndodh rëndom me projektligje të kësaj rëndësie. Vonesat në miratimin e këtij projektligji mbi bazën e rekomandimeve të Komisionit të Venedikut, flasin për një qasje jo-serioze të Kosovës ndaj opinioneve të këtij komisioni, të cilat rrezikojnë të mos jenë konsistent me situatën e tanishme, duke marrë parasysh kohën e gjatë që iu është dashur institucioneve deri në miratimin e projektligjit. Prandaj, ne, organizatat e poshtëshënuara të shoqërisë civile, kërkojmë që Kuvendi dhe konkretisht nga Komisioni parlamentare për Buxhet, Punë dhe Transfere të intensifikojnë punën e tyre me qëllim të përmbylljes së sagës me këtë projektligj, i cili ka mbetur i pamiratuar tash e katër vite, në tri legjislatura të ndryshme”, është theksuar në reagimin e këtyre organizatave.

Po ashtu, këto organizata kanë kërkuar që grupi punues dhe komisioni parlamentar në përgjithësi, që të përfshijë organizatat e shoqërisë civile gjatë punës së tyre si dhe të marrë në konsideratë rekomandimet e tyre që janë në funksion të avancimit të mëtutjeshëm të këtij projektligji.

“Ne rikujtojmë që para tri vitesh, si organizata të shoqërisë civile kishim organizuar ‘Marshin e refuzimit’ përmes së cilit kundërshtuam ndryshimet e projektligjit që cenonin transparencën dhe llogaridhënien financiare të subjekteve politike, si dhe cenimit të rolit të Zyrës në kuadër të kontrollit financiar”, është thënë në reagimin e këtyre organizatave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mungesa e transferimit të Kylian Mbappes te Real Madridi vazhdon…