Të premten spektakël i madh sportiv dhe humanitar
Të premten më 29 dhjetor në Ferizaj pritet të mbahet evenimenti i madh humanitar-sportiv, ICF. Organizatori Mustaf Kicaj dhe promotori Avdyl Salihu kanë mbyllur listën e garuesve dhe, sipas tyre, do të ketë mbi 25 ndeshje, ku prej tyre janë paraparë 10 përballje në K1, 15 në boks si dhe dy ndeshje në MMA.
Pra, do të paraqiten në ring mbi 50 sportistë që vijnë nga Maqedonia, Mali i Zi, Gjermania, Austria, Zvicra, Suedia, Kosova dhe njësiti amerikan me pesë garues nga kampi i Bondstilit.
Organizatore teknike e ndeshjeve të boksit do të jetë Federata e Boksit të Kosovës në krye me Latif Demollin.
Promotori Avdyl Salihu thotë se është i gëzuar që ka arritur t’i bindë shumë sportistë të vijnë dhe ta përkrahin këtë ngjarje të madhe humanitare, ndërkohë është i dëshpëruar edhe nga disa sportistë që të hollat i kanë gjithçka. “Kam bindur shumë sportistë të vijnë dhe të kontribuojnë për këtë eveniment humanitar dhe normalisht ne si staf teknik kemi paraparë edhe një shumë që do t’i mbulonim harxhimet e tyre, varësisht prej nga vijën. Ka pasur sportist që nuk kanë dashur asnjë cent nga ne, por ka pasur edhe prej atyre që veten e kanë llogaritur yje dhe nuk i ka interesuar qëllimi ynë. E vërteta është tragjike, por ky është realiteti”, ka thënë Salihu, i cili më pas ka falënderuar edhe kryetarin e ri të Ferizajt, Agim Aliu, që i ka dhënë mbështetje për këtë manifestim.
Kurse nga ana tjetër, Mustaf Kicaj ka thënë se pret shumë mbështetje nga diaspora, por edhe nga publiku i Kosovës. “Kudo që po paraqitem e shoh se ka interesim të madh. Kjo po më jep shumë vullnet për të punuar. Unë në Kosovë kam ardhur që një javë dhe gjatë gjithë kohës po punojmë me Avdyl Salihun që të bëjmë një ngjarje të madhe që do të na kenë lakmi të gjithë. Besoj se do t’ia arrijmë qëllimit. Ejani edhe ju në palestër më 29. 12. 2017. Kontribuoni edhe ju”, ka deklaruar Kicaj.
Mbrëmja e madhe humanitare do ta përmbyllet me dy ndeshjet për titull, ai Evropian ku do të ndeshen Naim Samiu kundër Borce Ivanovskit nga Bullgaria dhe luftëtari i njohur i Glorit, Burim Rama kundër Dushan Cimev nga Maqedonia.
Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)