Telekomi fiton kontestin gjyqësor me AXOS-in në Gjykatën e Arbitrazhit

26 prill 2018 | 12:03

Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit ka vendosur në favor të Postës dhe Telekomit të Kosovës në rastin gjyqësor me kompaninë “Axos”.

“Klan Kosova” merr vesh ekskluzivisht se vendimi lidhur me këtë kontest gjyqësor do të bëhet publik më 4 maj të këtij viti.

Procesi i privatizimit të Postës dhe Telekomit të Kosovës kishte nisur në vitin 2010.

Por tri vite më vonë, në prillin e vitit 2013, “Axos” ishte shpallur fituese pasi kishte ofruar 277 milionë euro për blerjen e 75 për qind të aksioneve në “Vala” e Telekom.

Por privatizimi i PTK-së nuk kishte ndodhur. Kuvendi i Kosovës nuk ia pati dhënë “dritën jeshile” raportit të qeverisë për shitjen e PTK-së pasi ishte opozita ajo që e kundërshtonte fort këtë proces duke bojkotuar disa herë edhe seancat.

Madje, opozita pati kërcënuar se nuk do ta votonin edhe buxhetin për vitin 2014, pas tentimit të qeverisë që me një amendament në këtë ligj të fusë edhe çështjen e privatizimit të PTK-së.

Pasi ishte marrë vendimi që ky proces të ndalet, “Axos” që është kompani gjermane kishte paralajmëruar padinë.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik që ishte në atë qeverisje, Fadil Ismajli, pati deklaruar se asnjë kompensim nuk do t’i shkojë kompanisë “Axos”.

“ACP Axos Capital GmbH” kishte bërë padinë më 4 qershor të vitit 2015 në Gjykatën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve Investive (ICSID).

Qeveria e Kosovës më 2 shtator të po këtij viti ndau 200 mijë euro për mbrojtje. Kompania “Patton Boggs” ishte përfaqësuesja e saj ligjore për zgjidhjen e këtij kontesti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka thënë se presidenti…